OKB jep alarmin: Assad po ekzekuton të burgosurit

E publikuar: 08/02/2016 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Bashar al-Assad po shfaros të burgosurit. Në këtë përfundim ka mbërritur raporti më i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi gjendjen në Siri.

Raporti i hartuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut akuzon drejtpërdrejtë presidentin sirian dhe zinxhirin komandues të administratës së tij për krime kundër njerëzimit.

Por raporti nënvizon se si forcat e regjimit ashtu edhe ato opozitare mund të jenë subjekt krimesh lufte.

“Shumë të burgosur janë torturuar, disa të rrahur deri në vdekje, të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e mungesës së ushqimit, ujit të pijshëm dhe përkujdesjes mjekësore”, thotë raporti.

Këto gjetje kanë dalë pas marrjes së dëshmive të qindra dëshmitarëve që përmbledh të gjithë periudhën e konfliktit, që prej nisjes së protestave anti-qeveritare, në mars të 2011-s.

Hetuesit e OKB-së besojnë se qindra-mijëra vetë kanë gjetur vdekjen në 5 vite konflikt, ndërsa situatën e përshkruajnë si “emergjencë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”.

“Të mbijetuarit na kanë ofruar një panoramë tmerrësisht dramatike sa i takon shkeljeve të të drejtave të njeriut”, thuhet në raporti.

Lufta civile në Siri u ka marrë jetën të paktën 250 mijë personave dhe ka zhvendosur rreth 18 milionë të tjerë, 4.6 milionë jashtë vendit dhe 13.5 milionë brenda tij.

/ Top Channel