OECD për qeverisjen digjitale: Shqipëria shteti më i vlerësuar në rajon

E publikuar: 09/07/2020 20:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga 6 shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është shteti më i vlerësuar për qeverisjen digjitale, sipas raportit vjetor të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, u ndal te përfitimet që kanë të gjithë nga qeverisja digjitale.

“Qeverisja digjitale është një tregues shumë i rëndësishëm i mirëqenies së një vendi. Kjo sepse qytetarët i marrin në mënyrë automatike shërbimet online duke ulur korrupsionin dhe duke shpëtuar nga zyrtarët e korruptuar dhe duke kursyer shumë kohë. Vendet perëndimore dhe ato të mirëqeverisura nuk mund të mendohen pa qeverisjen digjitale”, tha ajo.

Sipas Karçanaj, “numri i lartë i shërbimeve të ofruara në portalin e-Albania dhe transparenca kanë qenë dy nga treguesit që e pozicionuan Shqipërinë në vend të parë”.

“Transparenca është gjithashtu një pikë për të cilën vlerësohemi shumë mirë. Publikimi online i listës së shërbimeve elektronike dhe statistikave të vazhdueshme mbi to, regjistrimi, përdoruesi janë treguesi i cili e vlerëson Shqipërinë si vendi i vetëm që e ka arritur këtë tregues”, tha ajo.