OEAK: Vazhdimi i reformës në të bërit biznes, të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme

E publikuar: 24/09/2019 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re të Kosovës. Kështu besojnë anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, të cilët thonë se përmirësimi i sundimit të rendit e të ligjit, adresimi i boshllëkut të infrastrukturës transportuese dhe energjetike, si dhe boshllëkut të fuqisë punëtore duhet të jenë në thelb të kësaj reforme, ndërsa krijimi i një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik, duhet të jetë pikënisja e kësaj reforme, ashtu si edhe e të gjitha vendimeve në kuadër të qeverisjes ekonomike të Kosovës.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të demonstrojë me veprime konkrete angazhimin e saj për një zhvillim më të hovshëm të Kosovës, duke garantuar një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, si bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht duke bërë të mundshme angazhimin e të gjitha kapaciteteve të ndërmarrjeve brendshme dhe atyre të jashtme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Strategjia nacionale e zhvillimit ekonomik do të duhej të ishte ndër dokumentet e para të prodhuara nga Qeveria e re, duke pasuar një studim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës të kapaciteteve dhe mundësive të vendit, duke përfshirë këtu edhe sektorët strategjikë në të cilët duhet të bazohet zhvillimi i qëndrueshëm i vendit. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt mund të japë sektori privat dhe asociacionet e biznesit, përmes mekanizmave formalë të dialogimit duhet të ruhet dhe fuqizohet në vazhdimësi”, thuhet në komunikatën për media nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Anëtarët e Odës Amerikane besojnë se zbatimi i mirëfilltë i kuadrit ligjor është faktori më i rëndësishëm në të bërit biznes, ndërsa themelimi i një gjykate të veçantë komerciale duhet të trajtohet me prioritet nga ana e Qeverisë së re, duke u ofruar kështu bizneseve një mekanizëm më efikas për zgjidhje të kontesteve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të garantojë trajtim të barabartë të të gjitha ndërmarrjeve dhe të gjithë sektorëve në vend, ndërsa parakusht për këtë është efikasiteti i trupave përgjegjës që mbrojnë konkurrencën, shmangia nga masat dhe vendimet që favorizojnë një sektor të caktuar, luftimi i ekonomisë joformale dhe çrrënjosja e korrupsionit. Rregullimi i numrit të trupave të shumtë inspektuesë, si dhe i kompetencave të tyre është jetik për shmangien e ndërhyrjeve brenda sektorit privat dhe lehtësimin e operimit të tyre. Baza ligjore që rregullon funksionimin e tregut, të brendshëm apo të jashtëm, duhet të jetë në linjë me dispozitat kushtetuese të vendit, si dhe me orientimin e vendit për një ekonomi të tregut, që është edhe në frymën e aranzhimeve ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Kosova, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Për të matur ndikimin dhe efikasitetin që iniciativat e reja ligjore mund të kenë në sektorin privat, por edhe në sferat e tjera të jetës, Qeveria e re duhet të aplikojë në vazhdimësi Vlerësimin e Ndikimit Rregullativ, si praktikë instrumentale në shtetet e BE-së, e cila paraqet një sistem për vlerësimin kritik të efekteve pozitive dhe negative të akteve të propozuara, duke formuar kështu një metodë të politikëbërjes e cila bazohet në prova”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje theksohet se Qeveria e re duhet të avancojë në aplikimin e standardeve të harmonizuara të raportimit financiar, si për korporatat e mëdha ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që në kthim do të mundësonte efikasitet dhe transparencë më të madhe, por edhe mundësi më të madhe për identifikimin e nevojave të tregut, politikëbërje më të denjë që merr në konsideratë nevojat e sektorit privat, informimin më të mirë, rritje të partneriteteve të investitorëve të brendshëm me investitorët e jashtëm, si dhe ulje të mëtejme të kostos së kapitalit. Për këtë është e nevojshme edhe përpunimi periodik i të dhënave elektronike nga ana e Këshillit Kombëtar për Raportim Financiar.

“Qeveria e re duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës transportuese në vend, ku theks i rëndësishëm duhet dhënë modernizimit dhe zgjerimit të rrjetit hekurudhor, por edhe funksionalizimit të Aeroportit të Gjakovës, ndërsa investimi në akset e reja rrugore duhet të pasojë studimet e kujdesshme të fizibilitetit. Kur bëhet fjalë për reduktimin e boshllëkut të energjisë në vend, Qeveria e re duhet të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike, por edhe diversifikimit të burimeve të energjisë në Kosovë. Në këtë aspekt, Oda Amerikane mbështet ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por edhe promovimin dhe mbështetjen e iniciatiave për ndërtim të kapaciteteve energjetike nga burimet e ripërtërishme. I një rëndësie të madhe, është edhe ndërtimi i kapaciteteve për furnizim me gaz natyral, duke përfshirë këtu edhe kyçjen në linjat ndërkombëtare të furnizimit me gaz. Vëmendje e rëndësishme nga Qeveria e re duhet kushtuar zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke filluar nga reformimi i sistemit të edukimit në të gjitha nivelet e tij, duke nisur nga ai parafillor, me qëllim të nxitjes së ndërmarrësisë në mesin e gjeneratave të ardhshme, por edhe përmirësimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Qeveria duhet të përmbahet nga veprimet që thellojnë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, përmes ngritjes së mëtejme të pagave në sektorin publik, duke e reduktuar më tej disponueshmërinë e fuqisë punëtore brenda sektorit privat, në pamundësi të ndjekjes së trendeve të pagesave në sektorin publik. Ndërsa, në anën tjetër, legjislacioni i punës duhet të jetë në linjë me nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit, duke mos rënduar rregullimin e raporteve ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve”, thuhet tutje.

Në komunikatën nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës thuhet se programet arsimore duhet të reflektojnë nevojat e tregut të punës dhe të industrive të ndryshme në Kosovë, duke ofruar zgjidhje për problemet e këtyre industrive, e në mënyrë të veçantë asaj prodhuese në Kosovë.

“Përgatitja e duhur e kuadrove të punës do të mbështeste edhe synimet e vendit për zhvillim të ekonomisë së bazuar në internet, ose ekonomisë digjitale, duke i ditur përfitimet që Kosova mund të ketë në këtë aspekt. Po ashtu, zhvillimi i kapitalit njerëzor përbënë edhe një komponentë të rëndësishme në implementimin e standardeve ndërkombëtare për raportimin financiar. Në mënyrë që të adresohen në mënyrë të mirëfilltë çështjet që lidhe me kapitalin njerëzor, bashkëpunimi i institucioneve arsimore, përfshirë këtu edhe ato të arsimit të lartë, me sektorin privat duhet të ngritet në nivelin më të lartë të mundshëm, duke u fokusuar në analizimin e gjendjes aktuale si dhe trendeve të ardhshme, por edhe në strukturimin e programeve të punës praktike, me qëllim që nxënësit dhe studentët në Kosovë, të bashkërendojnë njohuritë e tyre praktike me ato teorike. I rëndësishëm, në këtë aspekt, është edhe promovimi i edukimit profesional në mesin e të rinjve, por edhe orientimi i duhur në karrierë, që nga moshat më të hershme”, thuhet tutje.

Përveç të mësipërmeve, anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, rekomandojnë edhe vazhdimin e reformave në sistemin fiskal, përfshirë këtu edhe aprovimin e shpejtë të ligjeve tatimore, siç është edhe ai për tatimin mbi vlerën e shtuar, të cilat do të sillnin lehtësime të reja për bizneset. Lehtësirat fiskale, përfshirë këtu edhe pushimet tatimore, duhet të janë në mbështetje të ndërmarrësve të rinj, e posaçërisht atyre të gjinisë femërore, si dhe të fuqizimit të kapaciteteve të kompanive nga fusha e ekonomisë digjitale, por edhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm, e posaçërisht atyre që vendi synon t’i nxisë të investojnë në zonat ekonomike të karakterit të veçantë, siç është ajo amerikane në Gjakovë. Për ndërmarrësit e rinj, e sidomos për prodhuesit, është i nevojshëm edhe lehtësimi i mëtejmë i qasjes në financa, përmes zgjerimit të mbështetjes nga Fondi Kosovar për Garantimin Kreditor.

Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane beson se Qeveria e re, duhet të kompletojë bazën ligjore të vendit, në ato fusha ku për momentin ngulfatet inovacioni dhe avancimi biznesor, siç është rasti me transaksionet elektronike, duke u bazuar gjithnjë në strategjinë nacionale të zhvillimit ekonomik, e cila do të duhej hartuar që në ditët e para të mandatit të ri.