Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane mirëpresin vendimin për Bordin e Ankesave

E publikuar: 20/12/2018 11:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prishtinë, 20 dhjetor – Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpresin vendimin e Ministrit të Financave Bedri Hamza për të shtyrë përpara krijimin e Bordit të Pavarur të Rishqyrtimeve, organ ky i cili do të trajtojë ankesat e sektorit privat kundër Administratës Tatimore dhe Doganës.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane për vite me radhë kanë kërkuar këtë të drejtë ligjore të garantuar edhe me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative për dyshkallshmëri në procedurë administrative, që nënkupton të pasurit e një instancë tjetër të ankimimit pas mekanizmit ankimues në institucionin tatimbledhës, para se të vazhdohet në procedura gjyqësore.

Duke pasur parasysh qe praktika të ngjashme të trajtimit të kontesteve të natyrës fiskale ekzistojnë edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të dy odat ekonomike kanë përsëritur disa here qëndrimin e tyre se praktikat e tilla të trajtimit të kontesteve të natyrës fiskale do të duheshin aplikuar edhe në Kosovë.

Ky vendim i ministrit Hamza së bashku me masat e reja fiskale të jetësuara këtë vit dhe vitin e ardhshëm, përbëjnë pa dyshim reformën më të madhe fiskale të ndërmarrë në Kosovë, dhe janë rezultat i dialogut konstruktiv ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe kësaj Ministrie.