Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë: Gjykata të trajtojë me prioritet paditë e kompanive të naftës lidhur me vendimin e AKK-së

E publikuar: 11/05/2020 10:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë përcjellë me vëmendje situatën e krijuar pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës lidhur me shkeljen e pretenduar të çrregullimit të konkurrencës tregtare nga ana e kompanive të naftës në Kosovë.

“Koha në të cilën është nxjerrë një vendim i tillë është relativisht e papërshtatshme për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, përfshirë këtu edhe pezullimin e punës së gjykatave dhe vonesën e mundshme në trajtimin e padive të ndërmarrjeve të prekura, gjë që cenon të drejtën universale të palëve për gjykim të shpejtë.

Në rrethana kur vetë Autoriteti konkludon se ndërmarrjet e hetuara nuk kanë abuzuar me pozitën dominuese në treg, as në formë individuale e as kolektive, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane thërrasin për përmbajtje për sa i përket pretendimeve që janë objekt i vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, për shkak të shmangies së dëmeve të mëtejme mbi ndërmarrjet për aq kohë sa gjykatat e Republikës së Kosovës nuk do të nxjerrin aktvendime të plotfuqishme”, thuhet në njoftimin për media.

Në këtë kontekst dhe duke parë lartësinë e gjobave që u janë shqiptuar ndërmarrjeve nga ana e AKK-së, e që rrezikon edhe mbijetesën e këtyre ndërmarrjeve, por edhe dëmin jomaterial që u është shkak shkaktuar ndërmarrjeve përkatëse, trajtimi i padive në konfliktin administrativ duhet të bëhet me prioritet dhe objektivitet maksimal, duke u ofruar kështu ndërmarrjeve mundësinë e lirimit nga akuzat e pretenduara.