Oda Amerikane kërkon nga Qeveria e re të demonstrojë dinamizëm të shtuar

E publikuar: 13/09/2017 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rritja ekonomike e drejtuar nga sektori privat dhe dialogu më i madh ndërmjet sektorit publik dhe privat janë dy elemente të cilat mbesin në fokus të përpjekjeve avokuese të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Duke konsideruar rëndësinë e vazhdimit të reformave në mjedisin e të bërit biznes dhe fuqizimin e mëtejmë të sektorit privat, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon nga Qeveria e re të demonstrojë dinamikë të shtuar në zbatimin e reformave të iniciuara, shkruan infosot.

Funksionalizimi i ekonomisë së tregut, përmirësimi i sundimit të ligjit, luftimi i ekonomisë joformale dhe luftës kundër korrupsionit, kompletimi i kornizës ligjore për politikat e reja fiskale të cilat do të ishin stimuluese për investimet e jashtme dhe të brendshme, fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë, nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë së re, duhet të jenë në mesin e prioriteteve kyçe të Qeverisë.

Vonesat e mëtejme në realizimin e objektivave të sipërcekura do të pengonin synimet e Qeverisë dhe shoqërisë në përgjithësi për një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, krijim të vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Duke besuar fuqishëm se sfidat ekzistuese mund të adresohen përmes një dialogu konstruktiv ndërmjet sektorit publik, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me Qeverinë e re duke ofruar kontributin e saj përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe trupave të tjerë. /infosot/