O’Connell: Vendimi i KSHC-së i vështirë, universitetet duhet të përmbushin kriteret e cilësisë

E publikuar: 19/07/2019 15:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell është shprehur se e ardhmja e Kosovës varet nga dy parime.

Sipas tij, të rinjtë e Kosovës meritojnë edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht dhe institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojë në mënyrë të pavarur, shkruan lajmi.net.

Ai këto komente i ka bërë duke iu referuar vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit.

O’Connell tha se ky është vendim i vështirë por se edhe universitetet duhet të plotësojnë kriteret, veçanërisht nëse duan që t’u njihen diplomat në vende të tjera.

Ambasadori britanez tha se qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kriteret e cilësisë.

“Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private”, ka shkruar O’Connell.

Ky është postimi i tij i plotë:

Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre. Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit.

Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private.