OBSH: Nevojiten mbi 30 miliardë dollarë në luftën kundër koronavirusit

E publikuar: 26/06/2020 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më shumë se 30 miliardë dollarë do të nevojiten për përgjigjen mjekësore: zhvillimin e testeve, vaksinave dhe trajtime antiCOVID-19, njoftoi sot OBSH, në prag të një konference donatorësh.

“Nisma ndërkombëtare e quajtur “ACT Accelerator, e nisur në fund të prillit nga OBSH dhe partnerët e saj, me qëllim përshpejtimin, zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në diagnostifikime, terapi dhe vaksina të reja kundër koronavirusit të ri, do të ketë nevojë për 31,3 miliardë dollarë gjatë 12 muajve të ardhshëm”, tha organzata në një deklaratë.

“Deri më tani, janë premtuar 3,4 miliardë dollarë, ndaj duhen 27,9 miliardë dollarë shtesë, përfshirë 13,7 miliardë dollarë për të mbuluar nevojat e menjëhershme”, sqaroi OBSH.

Fondet pritet të zhvillojnë dhe shpërndajnë 500 milionë teste dhe 245 milionë trajtime në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në mesin e vitit 2021 dhe 2 miliardë doza vaksinash në të gjithë botën, gjysma e të cilave janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, deri në fund të vitit 2021.