OBSH në Kosovë: Fare nuk është dashur masat të ndërpriten

E publikuar: 17/06/2020 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Isme Humolli, drejtoreshë e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në KTV ka thënë se masat nuk është dashur të largohen fare.

“Masat nuk është dashur të ndërpriten fare. Kushti i parë për t’u kthyer në vendin e punës ka qenë organizimi i vendit të punës, që të ketë së paku 8 metra për një person. E pastaj edhe stafi të ketë rotacion nëse nuk ka hapësirë”, ka thënë Humolli.

Megjithatë, ajo ka thënë se tani qytetarët duhet të bartin maska.

“Me lirimin e kërkuar domosdoshmërisht duhet të vendosen maska të fabrikuara, apo jo kirurgjike. Nëse popullata i respekton këto masa, t’i quaja të buta, do të kishim kaluar këtë situatë që u krijua, e cila ishte e panevojshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj rritja e numrit të të prekurve në Prishtinë është diçka e pritur.

“Disa banorë punojnë në komunat e afërta të Prishtinës. Jodomosdoshmërisht burimin e infektimit e kanë në Prishtinë, e cila është më e rrezikuar. 281 raste që ka Prishtina, atëherë del një numër relativisht i ulët në proporcion me numrin e banorëve. Është një komponent që është bërë edhe gjatë kohës kur u shpall pandemia, e cila masë duhet të shfrytëzohet sepse duhet të mësohemi t’i adaptohemi realitetit me COVID-19. Por, ata që punojnë nga shtëpia s’duhet të dalin në kafiteri, kjo është një brengë e imja”, ka thënë Humolli.

Ajo thotë se duhet të kemi kujdes me ligjet, porse OBSH-ja e ka shpallur Covid-19 si emergjencë globale, dhe Kosova e ka të detajuar atë ligj.

“Duhet të kemi pak kujdes në çështjen e ligjeve. Ligji është obligativ dhe i rregullon veprimtaritë, e rregullat. Kosova ka ligje po nuk po zbatohen ato. Nëse COVID-19 është shpallë nga OBSH-ja si emergjencë globale e shëndetit publik, kjo është edhe për Kosovë. Kosova ka ligjin për emergjenca, e cila në detaje e shpjegon veprimtarinë e secilit institucion. Nëse një punëtor është obliguar nga menaxheri të punojë prej shtëpisë dhe shihet në kafiteri, apo jashtë, pa nevojë atëherë duhet të merren masa”, ka thënë ajo.