Obama: Clinton, zgjedhja më e mirë për Shtëpinë e Bardhë

E publikuar: 28/07/2016 10:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka lavdëruar Hillary Clintonin si kandidate jashtëzakonisht të kualifikuar për presidencën amerikane, duke thënë se kandidatura e Donald Trumpit nuk i afrohet asaj të Clintonit në garën për Shtëpinë e Bardhë.

“Asnjëherë nuk ka pasur një burrë, apo grua, unë apo Bill Clinton, asnjë person që ka qenë i kualifikuar se sa Hillary Clinton për të shërbyer si president i Shteteve të Bashkuara”, u ka thënë Obama delegatëve demokratë në Konventën e tyre në Filadelfia.

Në një fjalim të mbushur me optimizëm, Obama ka folur për të ardhmen e ndritshme për vendin që Clinton do e sigurojë nëse fiton zgjedhjet e 8 nëntorit.

Ai e ka quajtur Clintonin, e cila formalisht e ka pranuar nominimin një ditë më parë si “të aftë…dhe të gatshme të bëhet komandantja e përgjithshme” e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se historia e gjatë duke shërbyer në poste publike, përfshirë edhe atë të Sekretares së Shtetit dhe të Sentaores, e ka bërë atë më të kualifikuar se të gjithë për Shtëpinë e Bardhë.

“Asgjë nuk të përgatit mjaftueshëm për kërkesat që ekzistojnë kur në Zyrën Ovale”, ka thënë Obama.

“Mund të lexosh për këtë. Mund të studiosh. Por, derisa ulesh në atë tavolinë, nuk e di se si është të menaxhosh një krizë globale apo të dërgosh të rinj në luftë. Hillary, megjithatë ka qenë në atë dhomë; ajo ka qenë pjesë e këtyre vendimeve.”

Clitnon e ka elektrizuar sallën kur ka dalë në skenë që të përshëndetet me Obamën në përfundim të fjalimit të tij, duke e përqafuar presidentin në natën e tretë të konventës. Kësaj radhe përpos presidentit Obama, fjalime kanë mbajtur edhe zëvendëspresidenti, Joe Biden, ish kryetari i New Yorkut, Michael Bloomberg dhe kandidati për zëvendës president, Tim Kaine nga Virxhinia.

“Këtë vit, këto zgjedhje, ju kërkoj që të na bashkoheni, të hidhni poshtë cinizmin dhe të mos e pranoni frikën… të zgjedhni Hillary Clinton si presidenten e ardhshme të Shteteve të Bashkuara”, janë fjalët me të cilat Obama e ka përfunduar fjalimin e tij.

Presidenti dhe të tjerët që mbajtën fjalime e kanë kritikuar ashpër Donald Trumpin, kandidatin republikan për president amerikan dhe biznesmenin e parë i cili asnjëherë nuk ka pasur post publik. Ata e kanë e quajtur atë si nxitës të frikës që bën premtime të thata dhe ka vizion të errët për vendin.

Biden e ka quajtur Trumpin, “një person që kërkon të mbjellë ndarjen në Amerikë për përfitime të veta, dhe mungesë rregulli në botë” dhe si “person që ngatërron uluritjet me fuqinë”.

Trump e ka komentuar tonin optimist të natës së tretë të Konventës, duke shkruar në Twitter se vendi po duket “i mrekullueshëm për miliona njerëz që jetojnë në varfëri, dhunë dhe dëshpërim.”/rel/