OAK: Lirimi i lëndës së parë nga TVSH të vazhdojë edhe pas shfuqizimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike

E publikuar: 03/12/2020 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda e Afarizmit të Kosovës e ka mirëpritur përfshirjen e amendamentit për lirimin e lëndës së parë nga TVSH-ja në blerjet vendore, por kërkoi që vlefshmëria e tij të jetë edhe pas shfuqizimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Ndërkohë bizneset që furnizohen me lëndë të parë kërkuan që norma e TVSh-së të ulet në 10 për qind në shitjet vendore, pasi kjo do të rrisë prodhimtarinë me 50 për qind dhe do të dyfishojnë numrin e punëtorëve.

Zëdhënësja e OAK-ut, Fjolla Smaili në një konferencë për medie kërkoi përkrahjen e prodhimit vendor deri në 10 për qind dhe subvencionim të eksportit me 10 për qind.

Ajo tha se fondi për garanci kreditore duhet të rritet në 300 milionë euro dhe njëkohësisht të ulet norma e interesit nga BQK-ja në 1.7 për qind, në mënyrë që të ulet normat e interesit nga bankat komerciale

“Oda e Afarizmit të Kosovës përshëndet vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere për lirimin e lëndës së parë nga TVSH-ja, përkrahja e ndërmarrjeve private dhe ndarja e pagave të sektorit privat që janë larguar, apo pezulluar nga puna gjatë pandemisë. Në amendamentin e dytë, paragrafi 1.6 thuhet se lënda e cila prodhohet nga veprimtaritë bizneseve, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo, të lirohet nga TVSH. OAK kërkon që ky amendament sa më parë të hyjë në fuqi me qëllim të lehtësimit të të bërit biznes në vend, veçanërisht kur po përballemi me një situatë të vështirë. Njëherazi kërkojmë që vlefshmëria e këtij amendamenti të jetë edhe pas shfuqizimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili do të bëhet në mënyrë automatike më 31 dhjetor 2021”, tha Smaili.

Përfaqësuesi i biznesit “Art Aluminium”, Avni Halimi derisa tregoi disa nga sfidat që kanë pasur deri tash në furnizimin me lëndë të parë, tha se nëse lirohet TVSH-së në 10 për qind, atëherë ata do të rritin kapacitetet e prodhimit deri në 50 për qind.

“Ne lëndën e parë e importojmë prej vendeve të jashtme. Si lëndë e parë është linguota, gazi dhe ngjyra. Të gjitha këto, me përjashtim të linguotës, ne mund t’i blejmë edhe në Kosovë sikur të ishim të liruar prej TVSH-së, por për shkak të ligjit në Kosovë, ne detyrohemi të importojmë prej shteteve jashtë vendit për t’u liruar nga taksa. Kërkojmë nga qeveria të ketë një përkrahje direkt për prodhuesit e Kosovës. Ne propozojmë që norma e TVSH-së të ulet 10 për qind në shitje vendore për të pasur hapësirë në treg dhe për të pasur një treg më të lirë. Nëse kjo ndërmerret nga ana e qeverisë, ne e rrisim kapacitetin e prodhimit edhe për 50 për qind dhe krahas kësaj edhe numrin e punëtorëve dhe kapacitetet prodhuese”, tha ai.

Ndërsa, Afërdita Gashi përfaqësuese e kompanisë “Mc Unit” kërkoi nga institucionet që produktet që prodhohet si lëndë e parë në Kosovë të lirohen nga çdo taksë.

“Ne apelojmë tek institucionet e Kosovës që prodhuesit vendorë të kenë përparësi sikur prodhuesit në vendet e tjera të botës. Institucionet tona nuk i përkrahin mjaftueshëm kultivuesit e frutave. Kjo e bën që të ketë mungesa në tregun tonë, andaj shumica jemi të detyruar të bëjmë zgjidhje jashtë Kosovës. Ne si prodhues të lëngjeve me lëndë të parë furnizohemi minimum nga 4 shtete të ndryshme, gjë e cila e ngadalëson procesin e prodhimit. Apelojmë që çdo produkt që prodhohet për prodhim si lëndë e parë në Kosovë të lirohet nga çdo taksë. Kjo u ndihmon prodhuesve dhe bizneseve vendore”, tha ajo.

Komisioni për Buxhet dhe Transfere dje miratoi në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me përfshirjen e katër amendamenteve të PDK-së, përfshirë edhe lirimin e TVSH-së për lëndën e parë.