Nyja politike e shqiptareve në Mal të Zi dhe zgjidhja e saj

E publikuar: 31/08/2015 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Dr. Martin Berishaj
E nderuar kryesi e punës,
Zonja dhe zotëri,
Vëllezër dhe motra

Etnicizmi shqiptar në Mal të Zi nuk rrezikon, por, ai dhe substanca jonë kombëtare këtu dhe tash, është në rrezik. Në rrezik se kjo elitë politike e vetëquajtur nacionale është duke bërë tentativat e fundit që përfundimisht të futet nën sqetull të shtetit pa me pyetur dhe pa dhënë llogari para votuesit shqiptare për veprimet e veta që krejt këtë situatë e kanë mbështjell në nyje që ata nuk duan por as nuk dinë ta zgjedhin. A është kjo e pathëna e premtimit të tyre!
Asnjë shprehje nuk e përcakton më mirë politikën shterp të elitës nacionale shqiptare në Mal të Zi, e cila nuk pjell ide, por vepron ashtu sikurse u sugjerohet nga qendra e vendosjes në Podgoricë, duke vepruar sipas inercionit të partisë ndaj së cilës kanë kompleks, pra e partisë në pushtet të Millo Gjukanoviqit, sikurse shprehje shumë domethënëse sikurse shprehja “u ka tret rruga në oborr”.
Parashtrohet pyetja se pse ndodhë kështu:
Së pari, si parakusht për t’u sjell ashtu sikurse sillet elita politike pa përjashtim,  e që është bërë normë dhe rregull, se në këtë shtet mund të merresh me politikë vetëm e vetëm nëse bëhesh peng i politikës së partisë në pushtet,
Së dyti, partia nga kjo elitë nacionale, perceptohet vetëm si përfitim individual afatgjatë për të marrë një rroge e cila nesër do të garantojë ndoshta edhe një pension;
Së treti, shpërfillja e fundbotshme e të qenit shqiptarë në trojet ku banojnë shqiptarët, ka sjell situatën që ideologjikisht të hapet shtegu i këtij pengu që ka kjo elitë si barrë, për ta përhapur jo vetëm në shoqëri por edhe në familje dhe në fis, ku komunikimi të bëhet në gjuhë serbe apo malaziase siç po quhet tash;
Së katërti, ky peng politik nuk shihet dhe as nuk perceptohet qoftë nga elita politike qoftë nga votuesi, si turp, por si mënyrë e të jetuarit komod, e që sillet në rrafshin financiare diku – diku një rezervar benzinë, një thes miell apo një cisterne me ujë për zonat malore, mbase votuesit duhet t’i ofrojnë diçka;
Së pesti, ky peng politik, implikon çështjen se kjo elitë politike mund të merret me gjithçka por jo me çështjen kombëtare dhe realizimin e të drejtave dhe lirive nacionale;
Së gjashti, tragjikomikja e pengut shprehet në formimin e një krijese “mbipartiake”, të cilën pushteti malazias e formojë po nga këto parti të zëna peng, i ashtuquajturi KNSH në Mal të Zi e që i shërben pushtetit si formularë për plotësimin e kërkesave malaziase në rrugëtimin e tij në integrimet evropiane, por assesi për realizimin e të drejtave tona nacionale, dhe së fundmi – diaspora si peng i këtij lloj inercioni të krijuar këtu, e që luan si lavjerrës në mes mallit për atdhe dhe dëshirës për të bërë diçka të mirë për vend, por duke anuar nga një nga këto pengje që janë bërë nyje e pazgjidhur.
Kështu dhe në këtë mënyrë substanca jonë kombëtare nën Mal të Zi, e legalizuar nëpërmjet elitës politike që i jep të drejtë vetes të quhet nacionale e që mbahet peng ballafaqohet me vete duke flijuar edhe piken e fundit të shqiptarizmës për një rrogë 150 euro në një sajesë që quhet komunë urbane të Tuzit. Pra, nëse bëjmë një parallogaritje matematikore koncize, Malit të Zi, për ta mbajtur peng këtë elitë politike te krejt malësoret në Malësi të Madhe, i nevojiten vetëm 5.000 euro në muaj dhe nëse e shumëzojmë më 12 muaj na del llogaria 60 mijë euro në vit.
Këtë eksplikim desha ta shpalojë për të thjeshtëzuar deri në kuptueshmëri teorinë e pengut politik i cili i ka kapërcyer suazat individuale të atyre që për një ose tjetër arsye janë peng duke u shtri në krejt rrafshin kolektiv i cili nuk kërkon asnjë llogari nga këta pengmbajtës të shqiptarisë këtu nën Mal të Zi.
Parakushti i parë për të filluar ta s’pështjellim këtë nyje është të pranojmë fajin si popull për krejt këta që na ndodhë ne këtu. E për ta pranuar fajin duhet t’i themi vetes mos u frikëso!
Shqiptar nën Mal të Zi, mos u frikëso se:
Mali i Zi me politiken e tij nuk mund të funksionoj pa ty, pra pa ne si komb. Pa nënshkrimet tona nuk mund të shkoj aty ku dëshiron ai duke na i shkelur të drejtat Mos u frikëso, se je taksapagues i denjë ndaj shtetit që të privon të drejtën e punësimit, të dygjuhësisë, përfaqësimit tënd në aparatin e shtetit të cilin ne vullnetarisht ia dhamë votën.
Mos u frikëso, të kërkosh llogari atyre që janë peng dhe janë shitur edhe pse janë vëllezërit e motrat tona të cilët në emrin tuaj e tonin marrin vendime për ju, t’u thuhet ndal se kështu nuk shkon ma.
Pra shqiptar, mos u frikëso se frikën nuk e kemi hak!
Mos u frikëso t’i lëçisim ata që nuk duan për të punuar dhe me dashtë kombin e vet, e që vullnetarisht punojnë kundër tij, por të kërkojmë të gjithë së bashku që fillimisht këto parti nacionale që janë në pozitë e opozitë në Komunën urbane të krijojmë mundësinë e braktisjes së këtij kuvendi mbase asnjë vendim nuk do të jetë legjitim dhe legal pa ju! Delegjitimojeni atë, sa më parë por paraprakisht propozojmë që si parakusht për arritje të kësaj të nënshkruhet nga këto subjekte që përfaqësojnë shqiptarët Memorandum të mirëkuptimit në mes këtyre partive për dimensione që na bashkojnë.

E për ta arritur këtë propozojë të bëhet Dekalogu (apo dhjetë urdhrat e Zotit) për shqiptarët nën Mal të Zi:
1. Së bashku të kërkojmë të drejtat dhe liritë politike që na takojnë; dy gjuhësinë dhe simbolet kombëtare në të gjitha nivelet aty ku shqiptarët janë shumicë, mediet në gjuhën amtare ashtu dhe aq sa që kanë pakicat kombëtare në BE,  përfaqësimin dhe punësimin adekuat në të gjitha nivelet e shtetit sipas përqindjes se popullatës shqiptare nen Mal te Zi, Komunën e Malësisë me qendër në Tuz konform të ligjit pozitiv si fazë fillestare të realizimit dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit që banon në të.
2. Së bashku dhe me mjete demokratike të realizojmë të drejtat duke u bazuar në Kushtetutë ekzistuese që në Komunën e Malësisë me qendër në Tuz të hapim mundësi për investime në fusha qe ajo ofron. Të jenë kusht i domosdoshëm dhe i obligueshëm për t’u punësuar në sektorin privat dhe atë publik njohja e gjuhës shqipe dhe asaj malaziase.
3. Së bashku të realizojmë të drejtën ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit.
4. Së bashku të kërkojmë që territori i Komunës së Malësisë me qendër në Tuz të jenë një dhe i pandashëm.
5. Të përkrahen dhe të rriten vlerat kulturore dhe arsimore duke mos cenuar të drejtën e askujt qe jeton në këtë trevë.
6. Të përkrahen dhe të rriten mundësitë  ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat, pa dallim kombësie, moshe apo besimi.
7. Të përkrahen dhe të rriten mundësitë e afrimit të njerëzve të pakomprometuar që ia donë të mirën kësaj treve.
8. Të përkrahen mundësitë qe dalin nga konventat ndërkombëtare për të parandaluar frenimin e reformave  që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e kësaj treve.
9. Të përkrahen dhe të rriten mundësitë duke harmonizuar dhe bashkuar energjitë, për të gatuar bashkimin mendor, kulturorë dhe shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.
10. Së bashku të synojmë për të realizuar mundësitë që Komuna  e Malësisë me qendër në Tuz të jenë zoti i vetes me qellim të prosperitetit dhe mbështetjes së gjithëmbarshme në rrugëtimin për integrime euroatlantike.

Zonja dhe zotëri
Kjo nyje që është lidhë, ka mundësi lehtësisht të zgjidhet. Si rregull nyja zgjidhet ose me ç’pështjellje të perit ose me prerje të saj. Kjo e dyta, besomëni, hap shtigje!

(Ky fjalim është mbajtur në simpoziumin “Malësia dhe Tuzi flasin shqip”, të organizuar nga Kolegji “Fama” dhe Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe nga Detroiti)