Nuk ka marrëveshje LVV-LDK, s’bën punë as QUINT-i

E publikuar: 28/01/2020 20:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

As prania e Shefes së Zyrës së BE-së dhe ambasadorëve të QUINT-it nuk ka ndihmuar që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës, në takimin e sotëm të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.

Takimi i liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku morën pjesë edhe Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ka përfunduar pa arritjen e një marrveshjeje për bashkëqeverisje mes këtyre dy subjekteve politike.

Dështimin në arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke lënë të hapur mundësinë për arritjen e marrëveshjes, raporton Telegrafi.

Edhe Albulena Haxhiu e LVV ka konfirmuar se nuk është arritur marrëveshja.

Ajo tha se LDK po insiston që të marr postin e Kryetarit të Kuvendit. “Nuk ka marrëveshje, për shkak të insitimit të LDK-së që të kthehemi në gjendjen e para 26 dhjetorit”.

Ajo tha se ka kohë deri në javën tjetër të arrihet marrëveshja. Haxhiu gjithashtu tha e LVV nuk do të kërkojë partner tjetër të koalicionit.

Haxhiu tha se LVV nuk ka pranuar propozimin e LDK-së për dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sepse, sipas saj, kjo do të ishte tallje me vullnetin e popullit.

Para takimit të sotëm kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se “LDK-ja ka paraqitur ofertën që është shumë e balancuar”.

“Sa i përket LDK-së, ne i kemi bërë të qarta qëndrimet dje. Ne kemi ofruar një zgjidhje e cila funksionin, e cila ju ofron dy palëve një partneritet të fortë, edhe do të thotë një balancim të pushteteve”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se LDK nuk i ka ftuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it, dhe se këtë e ka bërë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndryshe, ambasadorëty e vendetve të QUINT-it kanë lëshuar sot një deklaratë për media ku kanë ritheksuar edhe një herë qëndrimin e tyre karshi formimit të Qeverisë së Kosovës.

Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se çdo lajm se që qeveritë e tyre mbështesin një parti ose kandidat të caktuar në zgjedhje, është i pasaktë.

Dy subjektet politike po qëndrojnë të palëkundura në qëndrimet e tyre. LDK po insiston në postin e kryeparlamentarit dhe zotimin për postin e presidentit, derisa VV këmbëngulë që Glauk Konjufca të mos shkarkohet nga detyra, në të cilën ishte zgjedhur në seancën konstituive të 26 dhjetorit

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dy partitë më të votuara janë Lëvizja Vetëvendosje me 26.270% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.548% të votave.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi e ka nominuar kryetarin e LVV, Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë.