Nuk ka fitues në Anfield mes Liverpoolit dhe Bayernit, gjithçka vendoset në ndeshjen e kthimit

E publikuar: 20/02/2019 06:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liverpooli dhe Bayern Munichu janë ndarë pa gola (0-0) në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen që u zhvillua të martën mbrëma në Anfield.

Një mundësi të mirë në minutat e para e pati Mohamed Salah, por prekja e topit ishte e lehtë dhe nuk pati probleme për Manuel Neuer. Në anën tjetër rrezikoi Robert Lewandowski, por edhe portieri Alisson ishte në vend.

Robert Lewandowski në ndeshjen kundër Liverpoolit (Foto: Stu Forster/Getty Images/Guliver)

Kingsley Coman tregohej i rrezikshëm në krahun e tij, ndërkohë që Salah ishte gjithmonë i rrezikshëm. Teksa raste të mira pati edhe Sadio Mane, i cili nuk u tregua efektiv.

Pas një rasti të Joel Matip, u mbyll pjesa e parë e takimit duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin e fillimit të ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, nuk pati shumë raste konkrete për gol, duke qenë se zhvillohej një ndeshje e luftuar, porse mungonin aksionet në fazën finale.

Serge Gnabry përpiqej të krijonte aksione nga krahu i djathtë, mirëpo nuk kalohej mbrojtja vendase. Redsat në anën tjetër rrezikuan kah fundi i ndeshjes përmes Mane, por Neuer nuk lejonte që topi ta kalojë vijën fatale.

Mohamed Salah në ndeshjen kundër Bayernit (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, asnjëra nga skuadrat nuk arriti që ta gjente rrjetën, ashtu që ndeshja u mbyll pa gola.

Rezultati padyshim që shkon në favor të Bayern Munichut, pasi sfidën kthyese e zhvillon në Allianz Arena. Por, mospranimi i golit në terren vendas, i lë gjasat shumë të hapura edhe për Liverpoolin. /Telegrafi/