Nuk dihet çfarë ndodhë në shkolla – mësimdhënësit ndër fajtorët e dështimit në PISA

E publikuar: 03/12/2019 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tri vite pas testimit të parë, PISA e ka ranguar Kosovën të katërtën nga fundi në listën mes 79 vendeve të botës.

Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.

Për këtë rezultat zhgënjyes, njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci thotë për lajmi.net se nuk është befasues.

Sipas tij, problemi kryesor në sistemin tonë të arsimit është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke nisur nga shkollat deri në qeveri.

“Ky rezultat është vërtet zhgënjyes, por nuk është befasues sepse prej testit të fundit nuk ka pas asnjë përpjekje serioze për përmirësimin e gjendjes përveç që është organizuar një përgatitje respektivisht familjarizim i nxënësve me natyrën e testit. Prandaj edhe nuk ka befasi, kjo gjeneratë që iu është nënshtruar testit në vitin 2018 ka filluar shkollën në vitin 2008 ose 2009 varësisht prej asaj se ku kanë filluar dhe gjatë kësaj periudhe ata i kanë nda sfidat dhe problemet e njëjta si gjenerata paraprake. Unë konsideroj se problemi kryesor në sistemin tonë të arsimit është mungesa e përgjegjëisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet duke filluar prej shkollës e deri të nivelet më të larta të vendimmarrjes në ministri dhe në qeveri dhe kjo reflektohet edhe sot”, ka deklaruar Pupovci.

Tutje, ai ka thënë se licencimi për mësimëdhënësit ka mbetur vetëm formalitet pasi nuk ka pasur përpjekje cilësore që të bëhet vlerësimi i përformancës së tyre.

“Eventualisht ju jap shembull – prej vitit 2011 e kemi ligjin i cili parasheh se të gjithë mësimdhënësit duhet të licencohen, mirëpo deri në kohën e sotme kjo është vetëm formalitet nuk ka pas ndonjë përpjekje cilësore që të bëhet vlerësimi i performancës së tyre. Prandaj kjo ndikon edhe në punën që bëhet në shkolla ndërkohë që janë bërë rritje pagash pa kurfarë kritere e që pastaj edhe kanë ndikuar në zvoglimin e buxheteve shkollore”.

Pupovci ka theksuar se as kurrikula e re nuk është monitoruar nga askush dhe se nuk dihet çka bëhet në shkolla.

“Qeveria kurr nuk i zbaton politikat dhe legjislacionin e vet, por bën poteza për qëllime elektorale normal që shkakton pasoja në sistem. Kemi edhe shembuj tjerë është fut kurrikula e re as nuk e monitorn kush as nuk dihet çka bëhet në shkolla, e pamë çka ndodhi me tesktet shkollore, në fund e tëra kjo ndikon tek performanca e nxënësve dhe ajo nuk mund të përmirësohet nëse nuk ka hapa drejt përmirësimit”, ka përfunduar Pupovci.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës.