Novosella prek shpirtin e çdo shqiptari

E publikuar: 15/11/2015 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Doli nga shtypi libri i Sabri Maxhunit (Novosella) me titull “Mitizmi i Milladin Popoviqi nga stalinisto-enveristët shqiptarë”.

Dukagjin Hata
 Kam në dorë librin e ri të autorit tashmë të njohur Sabri Maxhuni-Novosella dhe mezi pres ta lexoj, të zhytem në hapësirat e mendimit të një kërkuesi autentik të realiteteve historiko-shoqërore të kohës shqiptare, i cili shkruan jashtë të gjitha tabuve të jashtme dhe autocensurës së brendshme, të cilat shpesh i çojnë njerëzit e letrave në kahe dhe mendësi të gabuara.
Si dhe në librat e tjerë të tij, edhe në faqet e këtij libri të Maxhunit gjallon pasioni i historianit, analistit, mendimtarit, intelektualit, antikonformist, idealistit të veprimit me kurajoz atdhetar, i cili ka si kryefjalë të tij guximin për të zbuluar realitete të fshehura apo të deformuara, që presin të bëhen të pranishme, në atë që quhet procesi i shkrimit të historisë së shqiptarëve në Gadishullin e vjetër.
Duhet thënë se këtij procesi në fillesat e veta Maxhuni i ka shërbyer më së miri, me veprën e tij të kompletuar, ku jepen qartë idetë, vizionet dhe kauzat e rikthimit të shqiptarëve në shtratin e tyre gjenetik e historik, në Evropën e Bashkuar.
Zbulimi i të “fshehtave” të veprës së Sabri Maxhunit-Novosella ka të bëjë me një lexim të përgjegjshëm të tekstit, me një sitë të hollë ku të veçohen ngjarjet, faktet dhe të reflektohet mbi tezat e ngritura. Që t’i kuptosh mesazhet maxhuniane nuk mjafton vetëm një lexim i rastit, lypset një lexim i thelluar, përqasëm, krahasues e reflektiv.
Nëse ka njëlloj vështirësie në “leximin” e veprës së Sabri Maxhunit-Novosella, kjo nuk të bëjë aspak me ndërlikime e stërhollime të panevojshme e shpesh të kota, siç ndodh me disa autorë, që qëllimshëm nuk i vënë pikat mbi “i”, teksa sillen e përcillen në të njëjtën tymnajë, por me faktin se ky “lexim” duhet të shoqërohet me një parapërgatitje të lexuesit për të hyrë në analet e një shkrimi që nuk njeh asnjë klishe dhe ndalesë jashtëtekstore.
Asgjë nuk e shqetëson autorin, përpos e vërteta, e cila ka nevojë të dalë në dritë të diellit dhe të jetë pjesë e vetëdijes kolektive të një kombi, që me shekuj e mijëvjeçarë ka vuajtur procesin e devijimit të saj në anale të errëta, qoftë të armiqve të hapur e tradicionalë, qoftë të miqve të stisur e hipokritë, që na kanë zënë prita vrastare prapa shpine…
E thënë ndryshe, ky “lexim” kërkon një përgatitje paraprake historike, shpirtërore, një reflektim mbi të ndodhurën dhe të diturën, midis të cilave shpesh në kohë-hapësirën e shqiptarisë ka boshllëqe dhe hendeqe që duhen mbushur. Maxhuni nuk rreket të na mbushë mendjen me përsiatje stereotipie, duke ngarkuar sintaksën dhe ndërlikuar semantikën rrëfimtare.
Përkundrazi, ai beson se ajo që shkruan ai prek në telat e shpirtit të çdo shqiptari, pavarësisht kufijve dhe mureve ndarës të kohëve të këqija, bën të ndjeshëm dhe reflektiv gjithkënd në këtë cep të dheut të botës që i thonë shqiptari, që e donë pragun e tij, kullën, rrënjët e kohës të pleksura në çdo plis d heu dhe ëndrre të kamotshme për liri e dinjitet.
Maxhunin nuk kanë dëshirë ta “lexojnë”, madje nuk duan t’ia dëgjojnë as emrin, se i zë ankthi e paniku i ballafaqimit me vetveten dhe kohën e gjurmëve dekonspiruese, vetëm etërit dhe bijtë e “konspiracionit”. Këta, po, këta kanë “të drejtë” të bëjnë sikur nuk e kuptojnë veprën e tij, ndër-kohë që disa prej syresh, ata më “guximtarët” në aventurën e tyre antishqiptare, nuk ngurrojnë edhe ta sulmojnë nga pozitat e mbrojtësve të “parajsës së humbur”!..
Por, pavarësisht këtij realiteti të trishtë, ku vegjetojnë të gjithë ishët, ata që merrnin e marrin bordero të fshehta nga kancelaritë e errëta të sllavo-ortodoksizmit politik, pena e Maxhunit hap perspektivën e një realiteti të ri, ku historia dhe përditshmëria shqiptare duhen parë ndryshe nga ç’janë parë deri më sot.
Duhen parë jo ashtu siç ka dëshirë autori që t’i shohim ne të gjithë gjurmët tona në kohë, por siç e kërkon një vështrim realist dhe mendjemprehtë, që nga përvoja historike të nxjerrim mësimet e duhura për aktualitetin.
Të gjitha këto më përcillen në mendje teksa lexoj dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit të ri të autorit Sabri Maxhuni – Novosella.
E them që në krye të herës, se është një libër suprizues dhe befasues. Një libër që nuk zbukuron, por gdhend me fakte e detaje të zgjedhura portretin e një heroi të keqkuptuar dhe maskën e një antishqiptari, i cili bëri më shumë dëme se kancelaritë ruse, greke e serbe të marra së bashku ndaj popullit shqiptar dhe kauzave të përgjakura nga plagët e krimit.
Autori, përmes këtij libri shtjellon paradokset e një historie që nuk u shkrua kurrë, në kohën dhe mënyrën e duhur, madje nuk po shkruhet as sot dhe kjo, sipas tij, përbën një mëkat të rëndë, të pafalshëm për sot e për nesër.
Libri është i veçantë dhe befasues, jo vetëm për informacionin e panjohur, për detajet historike të shkruara në kohë-hapësirën shqiptare, çfarë është në mendësinë krijuese të këtij autori serioz, por mbi të gjitha për stilin unik që përcjell, ku shkrihen në një informacioni dhe refleksioni, investigimi dhe analiza, mendimi historik dhe politikologjik.
Edhe në këtë libër, në mos gaboj, i shtatëmbëdhjeti në radhë, Sabri Maxhuni Novosella vendos pikat mbi “i” mbi figura të lëna në hije, të shtrembëruara e  falsifikuara, të devijuara e keqpërdorura në analet e një historie kaotike, që i ka shërbyer gjithçkaje, klaneve të pushteteve që kanë pasuar njëri-tjetrin, oligarkive të dyshimta, çeqeve të marra nga skutat e “konspiracionit”, por jo të vërtetës.
Me 13 mars të vitit 1945, një krisëm e vetmuar arme prishi qetësinë e rreme të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, atdhetari 32- vjeçar  Haki Taha qëlloi për vdekje sekretarin krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, Miladin Popoviqin, njeriun që pati iniciuar dhe drejtuar pas kuintave të konspiracionit sllavo-ortodoks PKSh dhe ishte tutori politik i vetë liderit komunist të Tiranës, Enver Hoxha.
PKSH, ketë  krijesë antishqiptare, antikombëtare të huajtur nga skutat më të errëta të “konspiracionit”, Miladin Popoviqi ia kishte bërë “dhuratë” Enver Hoxhes, në këmbim të Kosovës e më vonë edhe të Shqipërisë që mendohej  të bëhej “Republikë e  Shtatë” e  ish Jugosllavisë…
Nuk mund të gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë rrudhur e cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E kësaj rrudhjeje të skajshme,i këtij vasaliteti gjysmë të shpallur,e kësaj mynxyre kundër njërit prej kombeve më të vjetër e më fisnikë në gadishullin dhe kontinentin e vjetër, i shërbeu me një zell prej fanatiku sindromik edhe Miladin Popoviqi.
Ndaj aktin reflektiv e aksionin atdhetar të Haki Tahës, me të drejtë, autori e sheh si një akt të një heroi, që, për fat të keq, u anatemua jo vetëm nga armiqtë tanë tradicionalë, por dhe nga politbyroja dhe ekskatedra, bile dhe nga historianët e sotëm vazhdon të shikohet syze të errëta e paragjykimit të sëmurë. Haki Taha qe nga Gjakova. Kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, ku pat marrë titullin e mësuesit e patriotizmin  e kishte në gjenet e tij, të trashëguar ndër breza me pushkë e penë për shqiptarinë, të ushqyer nga nëna që kur e kishte përkundur në djep, bashkë me qumështin e gjirit dhe këngët e trimërisë e atdhedashurisë për Shqipërinë Etnike dhe Kosovën si truall i lashtë i saj…
Akti i tij meritonte dhe meriton një përmendore që të simbolizonte dhe të simbolizojë në të gjitha kohët modelin e qëndrestarit ndaj të keqes së përbindshme, modelin e heroit të kombit të tij, por “maskat e konspiracionit” i ofruan heshtje, përbaltje dhe mohim…
Ky është shtrati narrativ dhe analitik mbi të cilin e ndërton Sabri Maxhuni – Novosella “fabulën” e librit të tij, duke hedhur dritë mbi mjaft aspekte të panjohura ose gjysmë të njohura të kësaj ngjarje, jo vetëm të bujshme për kohën, por dhe me rezonancë në kohën e mëvonshme mbarëshqiptare.
Vrasja e Miladin Popoviqit u përcoll si një gjëmë e rëndë jo vetëm  nga jugosllavët, por edhe nga udhëheqësi i Tiranës komuniste  Enver Hoxha, me oborrin e tij dhe krejt Bllokun e Kuq. Nëse serboshovenët lëshuan ndaj heroit breshëri plumbash, duke ia ndërprerë mizorisht jetën fizike në mes, klika hoxhiste në Tiranë e vrau për të dytën herë, e rivrau këtë atdhetar shpirtpishtar duke e quajtur “shovinist” e deri “agjent të huaj”, që paskësh vrarë “simbolin e vëllazërimit  në mes popullit shqiptar e  atij sllav”, kur në fakt, ai ishte simboli i skllavërimit  të shqiptareve”!…
Dhe sikur të mos mjaftonin këto etiketime të turpshme, pjesë e lojës së ndyrë të “konspiracionit”, si reaksion patologjik ndaj aktit atdhetar të Haki Tahes, lideri i falangave të këtij “konspiracioni” në Tiranë, Enver Hoxha, me  vendimin nr. 117 të datës 5 shtator 1945 dekoron një serë antishqipta-resh të tërbuar  si Miladin Popoviqi, Aleksander Rankoviqi e të tjerë!…
Ironia bëhet me e thekshme dhe më tronditëse për faktin se edhe sot, kur mitologjia komuniste dhe pansllaviste duket se ka rënë edhe euroatlantizimi, që është pjesë e vizionit mbarëshqiptar për një komb të bashkuar në Ballkan. Edhe tani etërit dhe bijtë e kuintave pansllaviste nuk e thonë një fjalë të keqe për Miladin Popoviqin, ndërkohë që hedhin gurë ndaj kancelarive euroatlantike në Tiranë e Prishtinë.
Aventura antishqiptare e Miladin Popoviqit do të shkonte deri në zgrip, deri atje ku nuk mbante më, pasi, siç thotë me të drejtë autori, atë që nuk e arriti dot Rusia Pansllviste me gjithë aradhen e mbështetësve të saj-Francën dhe popujt sllavo-grekë të Ballkanit-në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Londrës dhe në një varg tubimesh ndërkombëtare, e arriti përfaqësuesi i pansllavizmit, antishqiptari Milladin Popoviq. Ky zezan ia bëri me shenjë “djallit”, siç mund të thoshte me një grotesk shijehollë i madhi Kadare, dhe “djalli” ktheu nga rruga e djallëzive të përditshme, për t’u marrë me kryepunën superdjallëzore, në shërbim të armiqve historikë të shqiptarisë.
E thënë ndryshe,  Miladin Pooviqi, me dredhi sllavo-bizantine, do t’i fuste në kurth shqiptarët, me anë të disa individëve nga radhët e vetë atyre,  duke themeluar “parti”  dhe organizuar sajesa konspiracioni nga vetë shqiptarët, për të vrarë parinë shqiptare, duke e futur kështu popullin shqiptar në një luftë qytetare, pra, vetëvrasje kombëtare.
Vrasësit e vizionit dhe projektit madhor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që synonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare me Shqipërinë Londineze, hodhën në koshin e historisë dorezat e përgjakura dhe ndërgjegjet e zhytura në kutërbimin e “konspiracionit”.
Miladin Popoviqi ishte kryeprojektuesi i ferrit shqiptar, me anë të veglës diabolike Enver Hoxha, që edhe pas prishjes me jugosllavët, mësuesin e tij Miladin Popoviq, të ekzekutuar nga një shqiptar, (i cili duhet ta kishte monumentin në mes të Prishtinë e Tiranës, do të vazhdonte ta mitizonte e ta paraqiste si “kryemik të shqiptarëve”.
Maxhuni di të hyjë me dijet dhe guximin e duhur mu në palcë të njërës nga kohët më të këqija të kombit shqiptar, nën tutelën e sllavomizorisë së dirigjuar nga kancelaritë e Moskës dhe Beogradit, për të shkundur pluhurin e trashë të mos vëmendjes dhe apatisë, që jo rrallë na ka shoqëruar ne shqiptarëve në dëshmimin e të vërtetave tona, cilado qofshin ato!
Heqja e paraleleve në kohë-hapësirën shqiptare, me figura e ngjarje të kësaj shtrirjeje, që kanë përbashkësi elementësh me çështjet e ngritura në këtë libër, e bëjnë rrëfimin e Maxhunit më të plotë, më komunikues e më mbresëlënës, duke u prapashoqëruar leximi i tij me reflektime të thella dhe mesazhe gjithëkohore.
Maxhunit i dhemb dhe e bën të vuajë shpirtërisht fakti, se edhe sot, në epokën e çlirimit të botës shqiptare nga mitologjia diabolike e gjysmë shekullit të çmendur, emra të njohur të qarqeve intelektuale të Kosovës vazhdojnë, më së paku të heshtin për Miladin Popoviqin, por ka dhe nga ata që vazhdojnë t’u bien trumbetave se ai ishte një mik i madh i shqiptarëve!…Unë do t’iu shtoja këtyre emrave një duzinë emrash të tjerë në Tiranë, që vazhdojnë të thurin hosonara për padronët e vjetër e të ri të Beogradit, ku Miladin Popoviqi mban kryet e vendit, vetëm për faktin se kryemodeli i tyre, Enver Hoxha, doli në “rrugën e historisë” falë mbështetjes së tyre! Ndërsa martiri, që i derdhi në gjoks plumbat e nxehtë, duke dëshmuar mospajtimin me monstrat e “konspiracionit” vijon të etiketohet akoma me ato epitete që i pati hedhur në podiumet e tradhtisë kombëtare Enver Hoxha!
Maxhuni përshkruan me mjeshtri stilistike e gjuhësore, me një semantikë të admirueshme, me fjalë të ngjeshura dhe me ngarkesa të forta informative dhe emocionale, atë makth ekzistencial ku u zhytën shqiptarët e Shqipërisë Londineze, të manipuluar nga kryefalangisti i krimit, Popoviq dhe padronë e sejmenë të tjerë të antishqiptarzmës.
Vallja makabre e udhëhequr nga Enver Hoxha, ky lider monstër i “konspiracionit”, do të linte krejt në vetmi e harresë pjesët e territoreve shqiptare jashtë saj, që me shpejtësi skëterre u riokupuan nga sllavo-ortodosia e Moskës dhe Beogradit, nga “ustallarët” e Athinës!…
Në raportet mes historianit dhe analistit, gjurmuesit e investiguesit dhe filozofit të mendimit shqiptar, tek Maxhuni shpërfaqet dukshëm prirja për të ndjekur linjën e një vështrimi politologjik, që vështron përmes pjesëve dhe fakteve, për të ndërtuar urat e kohëve dhe epokave historike me aktualitetin.
Kur kthen faqen e fundit të këtij libri, lexuesi ndihet i përmbushur, por me të drejtë mediton se përse na është dashur të vuajmë kaq shumë ne shqiptarët, më shumë se për faj të të tjerëve, për fajin e vetit, për pamundësinë tonë të kthyer në shfaqje sindromike për të lexuar drejt kohën gjeo-politike, për të dalluar qartë si drita e diellit miqtë dhe armiqtë?
Akoma nuk po dallojmë dot heronjtë dhe monstrat, duke u endur nëpër të njëjtat gabime e faje historike?!
Këto e pyetje të tjera që lindin, natyrshëm marrin përgjigje në këtë libër të autorit të shquar Sabri Maxhuni-Novosella, një libër që lexohet me një frymë dhe të befason edhe me bukurinë e përshkrimit, freskinë e fakteve dhe fuqinë e argumentit…/er/