Noviçok helmon edhe dy shtetas britanikë

E publikuar: 05/07/2018 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy shtetas britanikë janë sëmurë rëndë pasi i janë ekspozuar Noviçokut, agjentit të njëjtë nervor që ka sëmurë një ish-spiun rus dhe vajzën e tij, në muajin mars, tha komisionari i antiterrorizmit në Britani, Neil Basu.

Ai u tha gazetarëve në qytetin Ejmsbëri se testet e kryera nga qendra kërkimore britanike Porton Doën zbuluan se një grua 44 vjeçe dhe një burrë 45 vjeç i janë ekspozuar Noviçokut.

Çifti u shtrua në spital të shtunën, pasi u gjet pa vetëdije në Ejmsbëri, qytet që ndodhet vetëm 11 kilometra larg Sallsbërit, vendit ku ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia janë helmuar katër muaj më parë.

“Është agjenti i njëjtë nervor. Shkencëtarët do të përcaktojnë sasinë e përdorur”, tha Basu.

“Prioritet i ekipit hetimor tani është të përcaktojë se si këta dy njerëz kanë ardhur në kontakt me këtë agjent nervor”, shtoi ai.

Sekretari për punë të brendshme i Britanisë, Sajid Javid, tha se “teoria aktuale është se ekspozimi ka qenë aksidental dhe jo një sulm i dytë, pas atij mbi Skripalët”.

Ekipet mjekësore janë thirrur në një shtëpi në Ejmsbëri më 30 qershor, pasi një grua e identifikuar nga mediat si Daën Sturgess, ka kolapsuar. Në të njëjtën ditë është sëmurë edhe Charlie Roëley, raportuan mediat britanike.

Autoritetet britanike thanë se nuk kanë dëshmi se burri dhe gruaja kanë vizituar kohët e fundit ndonjë nga vendet që janë dekontaminuar pas helmimit të Skripalëve.

Britania e ka akuzuar Rusinë për helmimin e Skripalëve me Noviçok – një agjent nervash i zhvilluar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Me sulmin në Sallsbëri është shënuar përdorimi i parë i njohur i një arme të tillë kimike në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rusia e ka mohuar përfshirjen në helmimin e tyre.

Rasti, megjithatë, ka shkaktuar krizë diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit.

Përgatiti: Valona Tela