Norvegjia vazhdon mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë

E publikuar: 18/09/2018 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ambientet e Ambasadës së Norvegjisë në Prishtinë, Ambasadori Per Strand Sjaastad dhe z. Uranik Begu, Djretor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), nënshkruan marrëveshjen për mbështetjen financiare të qendrës me qëllim të promovimit të inovacionit, ndërmarrësisë, ndihmën për bizneset startup, komunitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Mbështetja nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë, në vlerë afër 300,000.00 Euro, gjatë dy viteve të ardhme do të përqendrohet në përmirësimin e ekosistemit të ndërmarrësisë, përkrahjen direkte për bizneset startup si dhe promovimin e investimeve në sektorin e TIK.

“Është një bashkëpunim i natyrshëm me Ambasadën e Norvegjisë, duke pas parasysh mbështetjen jetike që Norvegjia ka dhënë në themelimin e ICK-së, gjashtë vite më parë. Programi i ri do të ketë në fokus akselerimin e bizneseve startup, duke plotësuar shërbimet e ICK-së me programe te reja inovative”, u shpreh Uranik Begu, drejtor i ICK-së. Ndërsa, Ambasadori Per Strand Sjaastad, deklaroi: “Norvegjia e ka mbështetur ICK-në nga fillimi. Jemi shumë të kënaqur që bashkarisht po hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit me këtë qendër. Programi “ICK FORWARD” do të fuqizojë dhe promovojë bizneset startup dhe sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Besojmë fuqishëm që ky program do të ofrojë shumë mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe eksportin e potencialit nga Kosova në mbarë botën”.

Themelimi i Innovation Centre Kosovo më 2012, është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë. Sot ICK ka mbështjetje bazë nga Ambasada Suedeze në Prishtinë, si dhe partneritete me donatorë tjerë si GIZ & European Fund for Southeast Europe (EFSE).