Njihuni me qytetin italian në të cilin mund të blini shtëpi për vetëm 1 euro (Foto)

E publikuar: 31/01/2018 00:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

A keni ëndërruar ndonjëherë të keni një shtëpi në një fshat të bukur italian? Më në fund ka arritur lajmi që shumë e keni pritur. Tani mund të blini një shtëpi për më shumë se një dollar, raporton CNN.

Ollolai, është një destinacion malor në rajonin Barbagia në ishullin mesdhetar të Sardinias, ku qindra shtëpi të braktisura janë duke u shitur për vetëm një euro (1.2 dollarë), transmeton Telegrafi.

Kjo nuk është hera e parë që italianët përdorin këtë metodë të promovojnë vendin, por njëkohësisht nuk është numri i vogël i atyre që kanë rezultuar në fund të jenë mashtrime, megjithatë, duket se ky është vendi i parë në Itali që po e mban premtimin.

Afro 200 ndërtesa janë ndërtuar në murin shkëmbor, të cilat nuk janë në gjendje të mirë, ndërsa blerësit potencial obligohen që t’i rinovojnë në një periudhë kohore prej tre vitesh – ku shuma totale për renovim shkon deri në 25 mijë dollarë.

Por qëllimi kryesor i autoriteteve lokale është që të popullohet ky qytet dhe të mos shndërrohet në një qytet fantazmë. Gjatë gjysmës së shekullit të kaluar, popullsia e Ollolai ishte tkurrur nga 2250 banorë në 1300, ku numri i foshnjave të lindura çdo vit është shumë i vogël.

“Mburremi me origjinën prehistorike. Qëllimi im kryesor është të shpëtoj traditën tonë unike që është duke u harruar”, ka deklaruar kryetari i Ollolai, Efisio Arbau.

“Krenaria për të kaluarën tonë është forca jonë. Gjithmonë kemi qenë të fortë dhe nuk do të lejojmë që qyteti jonë të vdesë”, ka shtuar Arbau.

Ollolai mbetet një nga pjesët e paprekura të Sardinias. Dikur një vend i zhurmshëm dhe plot gjallëri, sot mbizotëron qetësia totale, pasi që të rinjtë janë larguar për të bërë një jetë më të mirë në qytetet më të mëdha. /Telegrafi/