Njihuni me dy telefonët e ZTE me kamera të pazakonta

E publikuar: 19/03/2019 01:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në përpjekje për të krijuar telefonë me ekrane që zënë plotësisht pjesën ballore të telefonit, ZTE ka ardhur me një dizajn të pazakontë.

Një sajt Italian ka përvetësuar disa foto të dy telefonëve të rinj Axon S dhe Axon V të cilët nuk kanë fare “notch” e as ndonjë prerje të një lloji tjetër.

Axon S ka fshehur dy kamerat frontale dhe tre të pasme në një shinë që shtrihet në tërë gjatësinë e telefonit dhe që qëndron i fshehur derisa të dëshironi të shkrepni një foto.

Shumica e detajeve të tjera të telefonit nuk dihen edhe pse Axon S spekulohet të ketë kamera të pasme 48-megapiksel dhe 19-megapiksel, një prej të cilave ka zmadhim optik 5X. Gjithashtu pritet një ekran OLED, skaner të shenjave të gishtërinjve nën ekran dhe 5G në disa tregje.

Telefoni tjetër Axon V që vini re në imazhin e dytë ka një drejtim ndryshe. Ka dy kamera të pasme ndërsa dy kamerat frontale ka një element më vete dizajni, një zgjatim anësor në skajin e djathtë lart. Nëse nuk u pëlqen mungesa e simetrisë, atëherë ky telefon nuk është për ju.

Debutimi i dy telefonëve nuk dihet kur do të ndodhë po sajti Italian thotë nga fundi i këtij viti. Sa i përket çmimeve, ZTE njihet për telefonët e rangut të lartë me çmime të përballueshme. /PCWorld Albanian