Një tjetër i prekur me koronavirus në Gjilan, Haziri thotë se po shohin me kë është takuar

E publikuar: 07/04/2020 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur pas konfirmimit të edhe një rasti me koronavirus në këtë komunën.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për një person të lindur në vitin 1964.

Sipas tij, qendra Operative dhe Komitetit Emergjent i Gjilanit po e hulumtojnë historikun e takimeve në mënyrë specifike.

Postimi i plotë:

#Dita26

Të nderuar qytetarë,

Sapo jemi njoftuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, se një bashkëqytetar i yni, i lindur më 1964, ka rezultuar pozitiv në testim me #Covid19.

Qendra Operative dhe Komitetit Emergjent i Gjilanit po e hulumtojnë historikun e takimeve në mënyrë specifike.

Ndërkohë, tre të prekur nga komuna jonë janë shëruar plotësisht dhe 14 të tjerë janë pa simptoma dhe probleme shëndetësore, prej të cilëve dy po trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë. Po pritet edhe testi i tretë për ta.

Ju lutem, mos u shqetësoni, por vetëpërmbahuni nga takimet. Këto janë dy javët vendimtare të luftës me të panjohurën.