Një organ më shumë në trupin e njeriut

E publikuar: 04/01/2017 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një organ i ri është zbuluar, i fshehur në brendësinë e trupit të njeriut. I njohur si “mesenteri”, deri më tani mendohej se kjo ishte thjesht një strukturë e fragmentuar në sistemin e tretjes, por shkencëtarët kanë kuptuar se kemi të bëjmë faktikisht me një organ të vazhdueshëm.

Edhe pse funksioni i tij është ende i paqartë, zbulimi krijon një fushë studimi krejtësisht të re për shkencën, siç thekson J. Calvin Coffey, një prej studiuesve në Spitalin Universitar të Limerickut, autor i këtij zbulimi.

“Kur të flasim për të si për të gjithë organet e tjera, ne do të mund të kategorizojmë sëmundjet abdominale në lidhje me këtë organ”, thotë ai. “ Për momentin kemi arritur të caktojmë anatominë dhe strukturën e tij, ndërkohë që hapi i radhës është përcaktimi i funksionit. Nëse kuptojmë funksionin e tij, atëherë mund të identifikojmë edhe funksionet jonormale, e rrjedhimisht edhe sëmundjet. E nëse i mbledhim të gjitha bashkë, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me fushën shkencore mesenterike”.

Lajmi për këtë zbulim të fundit është publikuar në të përditshmen mjekësore “The Lancet”. Dhe pas riklasifikimit të tij, studentët e Mjekësisë tashmë po mësohen ta quajnë mesenterin një organ më vete.

“Anatomia e Greit”, teksti mjekësor më i famshëm në botë është përditësuar gjithashtu për të përfshirë edhe përcaktimin e ri të mesenterit. Studentë dhe studiues të Mjekësisë mund të investigojnë se çfarë roli mund të luajë mesenteri në sëmundjet abdominale, e shpresohet që në fund të fundit të arrihen edhe trajtimet e reja.

Organi në fjalë është një membranë e dyfishtë e peritoniumit, veshje e zgavrës së barkut, që mban zorrët tona në murin e barkut. Ai është përshkruar nga dijetari italian Leonardo da Vinci në vitin 1508, por përgjatë shekujve është injoruar…deri më sot.

Edhe pse përgjithësisht konsiderohet se në trupin e njeriut janë 5 organe, faktikisht, me gjithë këtë të riun bëhen 79. Zemra, truri, mëlçia, mushkëritë dhe veshkat konsiderohen si organet jetike, por ka edhe 74 organe të tjera që luajnë një rol të përcaktuar në shëndetin e njeriut.