Një muaj paraburgim për tre të rinjtë që u ndaluan me narkotikë dhe revole pa leje

E publikuar: 26/07/2019 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për tre të dyshuarit L.B., A.B., dhe B.H., nga Mitrovica, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 20 korrik 2019, tre të dyshuarit bashkë me të dyshuarin tjetër G.B (i cili gjatë shoqërimit në polici ka arritur të ikë dhe gjendet në arrati), janë ndaluar nga policia, ku rezulton që të dyshuarit së bashku dhe pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike me qëllim shitje dhe shpërndarje.

Të dyshuarit, pas ndaljes nga policia, duke e ditur që po transportonin substance narkotike, të njëjtit kanë filluar ta hedhin një sasi narkotikësh jashtë veturës me qëllim të fshehjes dhe mos diktimit nga policia, ku pas ndalimit policia ka gjetur një sasi substance narkotike me peshë të përgjithshme 64,37 gramë e llojit marihuanë, si dhe një revole me një karikator dhe një fishek, e cila është poseduar pa leje përkatëse.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar tre të dyshuarve, masën e paraburgimit prej një (1) muaji, ndërkaq për të dyshuarin G.B i cili gjendet në arrati me kërkesë të prokurorit është lëshuar urdhër arresti./Infosot/