Një muaj paraburgim për të dyshuarit për vjedhje në banka e në markete

E publikuar: 18/10/2018 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër gjashtë të pandehurve të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale të shumta.
Të pandehurve masa e paraburgimit iu është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, e po ashtu edhe për të parandaluar kryerjen e ndonjë vepre penale të natyrës së ngjashme pasi që karakteristikat personale të tyre tregojnë rrezik potencial.

“F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me personat K.SH, R.A dhe L.L të cilët gjenden në arrati, kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje Grabitja nga neni 329 par. 3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, Grabitja në tentativë nga neni 329 par. 3 lidhur me par. 1 dhe lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së, Vrasja e rëndë në tentativë nga neni 179 par. 1 pika 1.9 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të 31 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjashtë të pandehurit nga muaji gusht 2018 deri me dt. 15 tetor 2018 kur edhe janë arrestuar kanë kryer vjedhje të ndryshme në filiale të Teb Bankës, Kep Bankës, NLB Bankës, pastaj vjedhje nëpër pompa të ndryshme të derivateve në vende të ndryshme të Kosovës, vjedhje nëpër kazino dhe bastore të ndryshme, po ashtu të pandehurit kanë kryer vjedhje edhe në super markete të ndryshme, ndërsa me dt.12 tetor 2018 gjatë ndjekjes nga policia të njëjtit kishin tentuar me qëllim që ti privojnë nga jeta të dëmtuarit – policët, në atë mënyrë që kishin shtënë me armë automatike AK-47 në drejtim të njësisë policore dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet më tej në komunikatë.