Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen në Babimovc

E publikuar: 19/03/2018 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për personin që dyshohet se kreu një vrasje në fabrikën e mishit “Apetit” në fshatin Babimovc të Obliqit.

“Të pandehurit F.T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe atë duke filluar prej datës 17 mars deri më 17 prill të këtij viti”, thuhet në komunikatë.

I pandehuri F.T dyshohet se me dt. 17.03.2018 rreth, në fshatin Babimovc, komuna e Obiliqit në firmën “Apetit Group”, në rrethana ende të pasqaruara e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, derisa i njëjti kishte qenë duke punuar.

I pandehuri F.T kishte shtënë me armë zjarri të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar, e kishte goditur një herë në pjesën e përparme në kraharor tani të ndjerin A.K dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore vdekjeprurëse dhe në QKUK në Prishtinë ishte konstatuar vdekja e tij.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës.