Një muaj nga vdekja e Fadil Vokrrit, udhëheqësit e FFK-së bëjnë homazhe te varri i tij

E publikuar: 09/07/2018 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ndërroi jetë pikërisht para një muaji, më 9 qershor 2018.

Dhe për ta kujtuar ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe një prej futbollistëve më të mirë shqiptarë, kreu i ri i FFK-së, Agim Ademi, me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varri i tij.

(Foto: ffk-kosova.com)

“Në njëmujorin e vdekjes së legjendës së futbollit dhe presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, sot pikërisht në orën 9:00, ku edhe ka ndërruar jetë i ndjeri, presidenti i porsazgjedhur i FFK-së, z. Agim Ademi së bashku me bashkëpunëtorë sot bënë homazhe dhe vunë lule të freskëta mbi varrin e ish-presidentit Vokrri”.

“Me këtë rast presidenti i ri, z. Ademi, tha se figura shumë komplekse e ish-presidentit Fadil Vokrri, do të kujtohet me pietet dhe sa të ketë njerëz në këtë botë nuk do të harrohet”, thuhet në njoftimin e Federatës.

(Foto: ffk-kosova.com)

“Unë bashkë me të tjerët zotohemi se do të shkojmë rrugës së lavdishme që ai ka ndërtuar dhe do të punojmë fortë për të mirën e futbollit të Kosovës.

“Do ta ruajmë me fanatizëm trashëgiminë që na ka lënë dhe kudo do të jemi krenarë duke marrë forcë nga kujtimi për të”, citon faqja e FFK-së fjalët e Ademit.

(Foto: ffk-kosova.com)

Kujtojmë që të premten u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së, me ç’rast me unanimitet të plotë nga 58 delegatët, Agim Ademi u zgjodh president i ri me mandat katërvjeçar. /Telegrafi/