Një lavdërim për Shqipërinë

E publikuar: 13/07/2015 23:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Victoria Nuland thotë se Shqipëria është lider në të gjithë rajonin me përpjekjet e saj kundër ekstremizimit.
Zv/Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe ato Euroaziatike, Victoria Nuland, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët i bëri një bilanc vizitës së saj disaorëshe në Tiranë.
Ajo tha se në takimet e zhvilluara me udhëheqësit shqiptarë dhe kreun e opozitës ka marrë angazhimin e tyre për ta çuar përpara reformën në drejtësi.
“Këto angazhime ne do t’i shikojmë nga afër”, u shpreh Nuland, e cila shtoi se populli shqiptar ka pritur tejet gjatë për një drejtësi të pastër dhe që kjo të arrihet, për të sjellë ndryshimin e kërkuar nga të gjithë, duhet bashkëpunim i të gjitha forcave politike.
Ndërsa për çështjen e dekriminalizimi, Nuland sygjeroi se duhet të kryehen ndryshime të forta ligjore për t’i penguar partitë në kandidimin e personave me të shkuar kriminale.
Nuland vlerësoi angazhimet e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit, duke theksuar se Shqipëria është lider në të gjithë rajonin me përpjekjet e saja kundër ekstremizimit. / TCH