Një histori tmerri në Kosovën e pasluftës

E publikuar: 25/11/2017 11:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më kujtohet kur me 1999, një person në emër të UÇK-së m’i kishte vjedhë mobilet e banesës sime dhe bënte “be” në nëntë fëmijtë e tij se ia kishte falë Stanishiqi para se të largohej nga Kosova, edhe pse ia tregoja fotot ku isha fotografua para lufte në to.

Po ashtu, dy fqinjë të rinjë, vëlla e motër, në të njejtin vit, nuk më lejonin ta parkoja veturën para banesës sime, sepse, sipas tyre, ua kishte lënë amanet baba që sapo iu vdiq ato ditë, se ai parking i takonte familjes së tyre, edhe pse ai vend ishte pronë e shtetit.

Pak më vonë, një plak me dy djemtë e tij, ma lavëroi parcelën time private dhe disa parcela tjera përreth, me justifikimin se kishte luftua bashkë me djemtë e tij dhe tash prona jonë duhej t’iu takonte atyre.

Pastaj, me 2005, një vrasës me pagesë m’u fut në ordinancë për të më shantazhua me largim nga Kosova përndryshe do t’isha e likuiduar, sepse dikujt ia kisha prekë biznesin me pacientë, edhe pse porositësit, pra konkurrentët e mijë, vet nuk ia arrinin as një shtatzani ta diagnostifikonin.

Dhe pasi nuk u frikësova as nga eliminimi fizik, por përkundrazi, e ndërtova një spital super modern për shumimin e popullatës, me 2008 më sulmoi pushteti me krejt aparatin shtetëror për të ma shuar biznesin, meqë ai i nevojitej ndonjë politikani apo klani.

Kurse me 2014, vozitësi im, përndryshe djalë i një polici të Kosovës, ma vodhi veturën time dhe i revoltuar pse e lajmërova në polici, përveç kërcënimit me vrasje, ma dërgoi me SMS akuzën e gatshme me të cilën edhe ma mbylli spitalin, kurse mua me ndihmën e shtetit kriminal më detyroi në arrati.

Dhe kështu, mbeta edhe pa veturë edhe pa spital. Sikur ta kisha ditur bile me ia falë vetëm veturën!

Por përjetova edhe shumë e shumë terrore tjera nga mafia civile e shtetërore gjatë punës sime në Kosovë, të cilat fatkeqësisht nuk do t’i nxenin as me dhjetëra libra. Dhe më e keqja nga gjitha këto tmerre ishte se, as nuk kishe se ku me u ankua.

Meqë, të gjithë shantazhuesit më vinin me akuza të përgaditura nga prokurorët e shitur, të cilët madje bleheshin me t’hollat e mija që më merreshin me dhunë. Film apo realitet, përcaktojeni vet!

E besoj se rrëfime të ngjashme drithëruese ka me tonelata në Kosovën e pasluftës. Pra, fatkeqësisht, qysh me 1999, u pa kjartë se Kosova mund të ngjante në gjithçka tjetër, porse asesi jo në një shtet funksional. E tmerri vazhdoi për plot 20 vjetë.

Kurse shpresat se një ditë në këtë vend do të bëhet mirë, për dikend ende vazhdojnë, e për dikend janë shuar përgjithmonë.
Opinion i shkruar nga Dr. Gjina Zeqiri