Një atlet rus dhe një slloven, pozitivë për doping

E publikuar: 20/02/2018 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti Olimpik i Rusisë konfirmoi se një atlet rus pjesmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Piong Çangut ka rezultuar pozitiv për substancën e ndaluar të meldoniumit.

Pas testit të dytë të kryer ndaj atletit, delegacioni rus shprehu keqardhje për incidentin. Por sipas tyre, rezultatet treguan se Alexander Krushelnitsky, lojtar i sportit Curling në akull, ka përdorur vetëm një herë meldonium. Përfaqësuesit e delegacionit rus thanë se do të ishte “e padobishme” nëse synimi ka qenë rritja e efektshmërisë në garë.

Alexander Krushelnitsky fitoi medaljen e bronzit në Piong-Çang.

Meldoniumi është një ilaç që përdoret për njerëzit me probleme të zemrës dhe disa besojnë se mund t’i ndihmojë atletët të rrisin rezistencën. Përdorimi i tij në sport u ndalua në vitin 2016.

Edhe atleti sloven i hokejit në akull Ziga Jeglic rezultoi pozitiv për fenoterol, duke e çuar në tre numrin e atletëve të testuar pozitivisht për doping në lojrat olimpike të Piong-Çangut.