Nitaj thotë se AAK-ja është në majën e piramidës politike – e pranon se kryeministri ndikoi në fitore

E publikuar: 21/11/2017 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, u bë fituesja e zgjedhjeve komunale që u mbajtën më 19 nëntor.

AAK ka fituar shtatë nga 19 komuna që fituan qysh në rundin e parë. Gjakovën, Suharekën, Obiliqin, Klinën, Rahovecin, dhe në rundin e dytë, atë të balotazhit, më 22 tetor, ka fituar Junikun dhe Deçanin, duke e çuar në 7 numrin e komunave të fituara.

Fitore e ka cilësuar edhe vetë kreu i partisë Ramush Haradinaj, duke shtuar se në fakt ia mësyjnë edhe Istogut, raporton Koha.net.

“Po e presim edhe fitoren e Istogut. Me këtë do të bëhemi fitues të 8 komunave”, ka thënë Haradinaj në një konferencë të mbajtur për media pas rezultateve preliminare nga KQZ.

I të njëjtit mendim është edhe Muharrem Nitaj nga kjo parti.

Nitaj, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se fitorja e AAK-së është e verifikueshme ndërsa thotë se gjasat janë të mëdha që kjo parti të fitojë edhe Istogun, kandidat i së cilës është Gani Dreshaj.

“Vlerësoj se AAK vërtetë ka qenë fituese e këtyre zgjedhjeve. Fitorja e saj, tashmë e verifikueshme, në shtatë komuna dhe gjasat që ajo të fitojë edhe në një komunë tjetër, e rendisin AAK-në në majën e piramidës politike në vend”, tha Nitaj.

Ai po ashtu tha se edhe pse në Istog është rezultati i ngushtë, është e mundshme që ata të fitojnë.

“Nuk dua të paragjykoj. Nuk dua të futem në listën e njerëzve që për këta dy muaj, pavarësisht rezultateve, kanë ditur të flasin vetëm për fitore. Ajo që mund të them është se rezultati në Istog është i ngushtë, dhe është krejtësisht e mundshme që AAK-ja ta fitojë edhe këtë komunë”, shtoi ai.

I pyetur se çfarë ndikoi që kjo parti të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve lokale dhe se a ka ndikuar fakti se kreu i partisë, Ramush Haradinaj është në krye të Qeverisë, Nitaj nuk e ka mohuar këtë të fundit, por ka thënë se nuk ka qenë faktori kryesor.

Nitaj ka thënë se AAK ka qenë partia e vetme në Kosovë e cila ka punuar vazhdimisht e jo vetëm gjatë fushatës.

“Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në fitoren e AAK-së. Ka më shumë se dy vjet që kjo parti ka punuar fort në terren. Ndoshta ju duket e çuditshme, por AAK ka qenë partia më e strukturuar në Kosovë. Nuk fitohen zgjedhjet vetëm në dy muaj fushatë, e partitë tjera këtë model e kanë aplikuar, natyrisht me disa përjashtime. Unë besoj se ky ka qenë faktori kryesor, por duke mos përjashtuar edhe konsistencën politike të kryetarit të partisë, Ramush Haradinajt. Faktori kryesor ka qenë puna që është bërë në vazhdimësi me elektoratin dhe anëtarësinë e AAK-së”, ka thënë Nitaj.

Muharrem Nitaj është deputeti i cili do t’i shtohet Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, pasi Agim Aliu i PDK-së, që ishte në koalicionin PAN, fitoi Ferizajn.

Kjo do të thotë se AAK-së i është shtuar një deputet me Nitajn duke u bërë 10, ndërsa PDK-ja ka një më pak, pra 23.

Për sa i përket postit të Nitajt si deputet, kujtojmë se ai ishte emëruar nga kryeministri Haradinaj zëvendësministër i Arsimit, post nga i cili ai do të largohet. Nitaj ka konfirmuar për Koha.net se do të mbajë postin e deputetit dhe se pritet që shpejt ta bëjë publik.

“Do të jem deputet në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht se kjo do të ndodhë edhe zyrtarisht, menjëherë pas certifikimit të rezultateve dhe pas dorëheqjes së zt.Agim Aliu, që ka fituar Komunën e Ferizajt. Kështu që, nuk mund të jap përgjigje se kur do të ndodhë me saktësi, sepse varet nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, tha ai.

Kujtojmë edhe një herë kandidatët e AAK-së që fituan postin e kryetarit pas zgjedhjeve lokale.

Raundi i parë:

Junik: Agron Kuçi

Deçan: Bashkim Ramosaj

Raundi i dytë:

Gjakovë: Ardian Gjini

Suharekë: Bali Muharremaj

Obiliq: Xhafer Gashi

Klinë: Zenun Elezaj

Rahovec: Smajl Latifi