Nitaj: Ramush Haradinaj e bën Qeverinë deri në mes të korrikut

E publikuar: 30/06/2017 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e ardhshme do ta ketë në krye Ramush Haradinajn si dhe institucionet e vendit do të formohen deri në mesin e korrikut. Kështu po thonë zyrtarë të koalicionit PAN.

Anëtari i kryesisë së AAK’së, Muharrem Nitaj, kontaktuar Gazeta Express, ka thënë se kreu i partisë së cilës ai i takon tash e disa ditë ka filluar negociatat me individë të partive politike për t’i siguruar numrat e nevojshëm rreth formimit të institucioneve të shtetit.

“I nominuari për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj, ka filluar negociatat rreth formimit të Qeverisë së re tash e disa ditë. në këtë rreth të negociatave, Haradinaj, ka takuar edhe deputetë individualisht të partive të caktuara politike”, ka thënë Nitaj.
Ai shpjegon se kandidati për Kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj është duke zhvilluar biseda me disa nga deputetët e AKR’së, LDK’së si dhe pakicave serbe.
“Ka biseduar me deputetë të pakicave serbe, me përfaqësuesit të AKR’së, është në kontakte me deputetë të LDK’së”, ka thënë ai.

Tutje, Nitaj është shprehur i bindur se institucionet e vendit do të themelohen deri në mesin e  korrikut. Thotë se në krye të Qeverisë do të jetë Ramush Haradinaj.

“…unë jam i bindur se Ramush Haradinaj, do të arrijë që një afat rekord ta krijojë Qeverinë e Re. Besoj që deri ka mesi i korrikut, do të krijohet dhe kryeminstër i ri do të jetë Ramush Haradinaj”, ka thënë Nitaj.

E ndërkohë KQZ dje ka shpallur edhe rezultatet përfundimtare. Certifikimi i rezultateve pritet të bëhet gjatë javës së ardhme. Ndërkohë që partitë politike si dhe kandidatët për deputet kanë kohë 24 orë që të bëjnë ankesa në PZAP, rreth numërimit, të votave. Deri më tani në adresë të KQZ’së kanë shkuar 14 ankesa. Sipas zyrtarëve të KQZ’së ankesat më së shumti kanë shkuar nga ana e koalicionit PAN.