Nisma takon ambasadoren e Francës për skandalin me “rastin Kleçka”

E publikuar: 19/03/2015 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësit e Nismas i kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth skandalit në “rastin Kleçka”, në takimin që kanë pasur sot me ambasadoren e Francës, Maryes Daviet.

“Në kuadër të takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik të akredituar në Kosovë, udhëheqësit e Nisma për Kosovën, të kryesuar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, sot kanë zhvilluar takim me Ambasadoren e Republikës së Francës, Maryes Daviet.

Në takimin e zhvilluar mes udhëheqësve të Nismas për Kosovën dhe ambasadores franceze, Maryes Daviet, është diskutuar për situatën aktuale, ku Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi i ka shprehur shqetësimet e Nismas rreth skandalit të fundit të EULEX-it në rastin Kleçka, të publikuara ditë më parë në gazetën Koha Ditore”, thuhet në njoftimin kësaj partie.

Koha Ditore, n[ dy artikuj radhazi kishte raportuar për dyshime të forta se Partia Demokratike e Hashim Thaçit në bashkëpunim me ish-shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt, dhe disa zyrtarë të Brukselit, kishin ndërhyrë në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit të kaluar që Limaj dhe nëntë të tjerët të akuzuar të rastit “Kleçka” të dënoheshin për krime lufte.

Dëshmitë që i kishte siguruar “Koha Ditore” flisnin se dënimin e kryetarit të Nismës e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares. Ai ishte kryetar i trupit gjykues. Soares, madje, u kishte thënë kolegëve të tij të EULEX-it se do ta dënonte Limajn ende pa e marrë lëndën në shqyrtim.

Dënimi i Fatmir Limajt ishte parë si mundësi ideale për prishjen e koalicionit LDK, AAK dhe Nisma.