NISMA i kërkon Presidentes ta ndriçojë ‘komplotin’ kundër Limajt

E publikuar: 09/03/2015 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

NISMA për Kosovën sot i ka dërguar një letër Presidentes, Atifete Jahjaga, nga e cila ka kërkuar që sipas detyrimeve të saja kushtetuese të kërkon një hetim të plotë rreth skandalit i cili u bë publik javën e kaluar në gazetën Koha Ditore.

Lexojeni të plotë letrën që ia ka dërguar Nisma për Kosovën, presidentes Jahjaga:

“NISMA për Kosovën e konsideron të papranueshme heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me skandalin e publikuar javën e kaluar në gazetën Koha Ditore (skandalin në lidhje me komplotin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt).

Zonja Presidente, ju jeni garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës, siç e përcakton neni 84 – paragrafi 2 i Kushtetutës së Kosovës“(Neni 84:- Kompetencat e Presidentit -Presidenti i Republikës së Kosovës: Paragrafi (2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë)”.

Në emër të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore si dhe barazisë para ligjit të secilit qytetar të Republikës së Kosovës, NISMA për Kosovën kërkon nga ju që ti ushtroni obligimet e juaja kushtetuese dhe ligjore.

Znj. Presidente kërkojmë nga ju që sipas detyrimeve tuaja kushtetuese të kërkoni një hetim të plotë rreth këtij skandali i cili u bë publik javën e kaluar në gazetën Koha Ditore, skandal i cili shkel të drejtat e individit dhe barazinë e qytetarëve para ligjit, të garantuara me kushtetutë sipas neneve: Neni 3, 21, 22, 30 dhe neni 31.

Si presidente e këtij vendi duhet të përdorni të gjithë autoritetin që ju jep kushtetuta për të kërkuar nga organet kompetente që jo vetëm të ndriçohet ky komplot, por edhe të merren masat e nevojshme që asnjëherë në të ardhmen, askush të mos guxoj që të përdor sistemin e drejtësisë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi për qëllime politike .

NISMA për Kosovën pret që ditëve në vijim të ndërmerrni hapat e nevojshme në përmbushje të obligimeve tua kushtetuese” (sic), thuhet në letrat të cilën Nisma për Kosovën ia ka dërguar Presidentes. /Telegrafi/