Nisin hetimet për kurdisje tenderësh në ministrinë e Zharkut

E publikuar: 21/10/2016 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nën dyshimin për kurdisje tenderësh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka nisur hetimet ndaj Drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Besim Tahiri dhe Betim Reçica zyrtar në këtë ministri.

Hetimet kanë nisur pas një shkrimi të publikuar në Gazetën Fjala, ku është publikuar edhe një video incizim në të cilën dyshohet se Reçica dhe Tahiri merren vesh për tenderë të caktuar.

“Fjala” posedon edhe dokumentin për nisjen e hetimeve në të cilin thuhet se “hetimet po zhvillohen nën dyshimin e arsyeshëm për mundësinë e kryerjes së veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar sipas nenit 422 të KPK-së”.

Gazeta Fjala javë më parë pati raportuar se në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Lutfi Zharku i LDK’së dyshohet se janë duke u kurdisur tenderët dhe se po shpërblehen kompanitë në bazë të preferencave të individëve të caktuar. Raportimi ishte bërë në bazë të një audio incizimi të cilin e pati siguruar kjo gazetë.