Nisin gërmimet për varrezë masive të shqiptarëve në Novi Pazar

E publikuar: 20/04/2015 20:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dy ditësh nis gërmimi për varrezën masive në Novi Pazar të Serbisë, ku mendohet të jenë varrosur 100 shqiptarë, të gjithë robër lufte. Lajmin për KTV-në e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj.

Të enjten nisin kërkimet për një varrezë të re masive në Serbi. Rreth 100 trupa mendohet të jenë varrosur në të dyja anët e një lumi në Novi Pazar dhe e vërteta rreth tyre do të mësohet këtë javë, raporton KTV.

Më 23 dhe 24 të këtij muaji do të ketë gërmime në disa lokacione në Novi Pazar, ku mendohet të jenë trupat e shqiptarëve të vrarë, të kapur derisa po largoheshin nga Kosova.

Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka bërë të ditur se Serbia ka lejuar të hulumtohen dhe të gropohen këto lokacione, por nuk ka dashur të specifikojë numrin e saktë të personave që mund të gjenden aty.

Ai ka ritheksuar se as çështja e Rudnicës nuk është kapitull i mbyllur, kur dihet se vetë prokuroria kishte dyshime për 250 trupa, e aty u gjetën pak më shumë se 50.

Andaj, sipas Gjetajt, këtë pranverë do të gërmohet edhe në një lokacion tjetër aty afër.

Ndonëse jozyrtarisht, KTV-ja ka mësuar se lokacioni i Rashkës po kushtëzohet me hapjen e liqenit të Livoçit, vend ky i kontrolluar më herët, por që u mbyll pa gjetur asgjë.

Pala kosovare thotë se do të insistojë që lokacionet e tjera të dyshuara në Rashkë të hapen gjatë këtij viti, pasi dyshimet janë të mëdha.