Nishani: Procesin e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve duhet ta udhëheqë Kosova

E publikuar: 21/10/2016 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Bujar Nishani ka treguar se cili shtet duhet ta udhëheqë procesin e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve.

Në një intervistë për emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, Nishani ka thënë se duhet të jetë Kosova shteti që të udhëheqë këtë pajtim.

“Këtë proces, quajeni pajtim, quajeni intensifikim, koordinim ose respekt të ndërsjellët, në gjykimin tim duhet ta udhëheq Kosova”, tha ai.

Edhe Nishani i është bashkuar debatit që së fundmi është shumë aktual, atë për “kombësinë kosovare”. Ai tha se shqiptarët janë faktorë në Ballkan.

“Në Republikën e Shqipërisë jetojnë vetëm 40 për qind e qytetarëve që i përkasin kombësisë shqiptare. 60 përqindëshi tjetër jeton jashtë kufijve të Shqipërisë. Një numër i madh jeton në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, jetojnë në Mal të Zi, në Serbi, në diasporë”, tha Nishani, duke shtuar se debatet për “kombin shqiptar” janë kundërproduktive dhe se më shumë do të duhej të të debatohej për idetë dhe mundësitë për zhvillimin e dyja shteteve.

Presidenti i Shqipërisë ka thënë se Serbia po tenton të shmang dialogun me Kosovën dhe të intensifikojë marrëdhëniet me Tiranën zyrtare, në mënyrë që me këta të fundit të flasin për Kosovën.

“Ka një platformë të Serbisë për ta shmangur nga agjenda e tyre negociatat me Kosovën dhe besoj që strategjia e tyre është e qartë, për t’u fokusuar në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për të justifikuar se këto marrëdhënie përbëjnë marrëdhëniet e tyre me shqiptarët”, tha Nishani.