Nisen për në Turqi edhe dy pacientë të tjerë të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj

E publikuar: 07/01/2021 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe dy pacientë të tjerë të cilët morën lëndime të rënda trupore (djegie të sipërfaqes trupore) gjatë shpërthimit të bombolës së gazit në një lokal në Ferizaj, janë nisur për në shtetin turk për trajtim të mëtutjeshëm.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shaqir Uka.
Ai tha se pacientët tashmë janë në aeroplanë, duke udhëtuar për në Turqi.
“Po janë nisur para 30 minutave, nuk e di saktë orën. Po e rëndësishme që janë nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi. Nga dy pacientët është edhe 20 vjeçarja”, ka thënë Uka.

I pyetur për gjendjen e dy pacientëve të tjerë të cilët kanë mbetur nën përkujdesjen e ekspertëve vendor, ai tha se gjendja e tyre është stabile.

Ndryshe, deri më tani janë nisur për në Turqi katër nga gjashtë pacientët të cilët ishin paraparë të shërohen jashtë vendit nga plagët e rënda trupore që morën gjatë ditës së martë nga shpërthimi i një bombole të gazit në një lokal në Ferizaj.

Dy pacientët e parë që janë nisur sot në orët e hershme të mëngjesit tashmë kanë mbërritur në Turqi. /Telegrafi/