Nis “Javët e Biznesit Kosovar 2015”

E publikuar: 30/11/2015 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca Kosovare e Bizneseve për vitin e trembëdhjetë me radhë, sot hapi zyrtarisht projektin “Javët e Biznesit Kosovar”, me qëllim të promovimit dhe ngritjen e konsumit të prodhimeve vendore.

Edhe pse të ftuar kishte funksionarë të lartë të vendit, ftesës së tyre nuk iu përgjigj asnjëri nga ta.

I pranishëm atje sot ishte vetëm kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka bërë thirrje për konsum me të madh të produkteve vendore në mënyrë që të ndihmohen bizneset vendore si dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Ai, i ka bërë thirrje politikës që të mos pengojnë iniciativat e bizneseve, por të ndahen bizneset nga politika.

Përndryshe, gjatë periudhës 30 Nëntor deri më 17 Shkurt 2016 sa do të zgjasë organizimi, kanë konfirmuar pjesëmarrjen mbi 100 kompani shqiptare duke përfshirë edhe ato nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilat do të prezantojnë rreth 60 mijë produkte të sektorëve të ndryshëm.

Javët e Biznesit Kosovar mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të mbështetura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, KIESA, MF, MZHE, MBPZHR.

Manifestimi do të nis në Prishtinë, ndërsa nga këtu do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera të Kosovës.