Nis Festivali i Filmit në Berlin

E publikuar: 10/02/2017 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Berlin ngre këtë vit siparin me një mesazh të fortë politik.

Një kitarist legjendar “Jazz”-i që u largohet nazistëve; një familje e bllokuar mes bombave në apartamentin e saj në Siri; si dhe të shtënat në një bar të Madridit janë vetëm disa prej 400 historive që prezantohen në Berlinale.

Edicionin e 67 të festivalit të shumëvlerësuar e çel “Etienne Comars Django”, rrëfimi mbi jetën e muzikantit Django Reinhardt në Francën e vitit 1943 të pushtuar prej nazistëve. Në fakt, shumë nga filmat konkurrues, këtë radhë trajtojnë çështje të rëndësishme sociale ose politike.

“Ka një preferencë për politikën në festivalet e mëdha të filmit dhe kjo shihet qartë në Festivalin e këtij viti në Berlin. Me situatën e krijuar në qytet, diçka e tillë nuk është edhe aq e pazakontë”, tha Scott Roxborough, “Hollywood Reporter”.

Disa filma shfaqen jashtë seksioneve tradicionale të festivalit, në atë që njihet si seksioni “Berlinale Special”. Ndër këto premiera bën pjesë edhe filmi “I riu Karl Marks”, me regji të Raoul Peck, i lindur në Haiti.

Një forum i posaçëm u kushtohet dhe artistëve të rinj, të cilët gjatë ditëve të festivalit kanë mundësi të shkëmbejnë mendime dhe ide me kineastë me përvojë nga bota e madhe e filmit.

Masat e sigurisë u shtuan ndjeshëm në kryeqytetin gjerman dhe vetëm disa orë përpara shfaqjes së rëndësishme, vendi ku zhvillohet festivali u rrethua me barriera betoni./tch/