Nikoliq merr përkrahje nga Kina për mosnjohjen e Kosovës

E publikuar: 02/09/2015 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Li Keqiang i ka përcjellë kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, përkrahjen e Kinës në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe politikës karshi Kosovës, shkruan “Akter”
President serb Tomislav Nikoliq gjatë një bisede me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, ka vlerësuar se “është momenti i duhur që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kinës, në veçanti në ekonomi të arrijnë në një fazë të re”, dhe ka bërë thirrje për investime kolektive dhe eksporte në tregje të treta, transmeton lajmi.net.

Kryeministri kinez siç thuhet në një deklaratë, ka mbështetur idenë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike, kurse Nikoliqit i ka përcjellë mbështetjen e Kinës në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe politikës karshi Kosovës.

Ai i ka premtuar përkrahje edhe në qëndrimin e Serbisë karshi statusit të Kosovës dhe kinse trashëgimisë kulturore serbe në vendin tonë, duke aluduar kështu në përpjekjet që diplomacia kosovare po i bënë për t’u anëtarsuar në UNESCO.

“Ne i kuptojmë përpjekjet e Serbisë për të ruajtur territorin, popullin dhe trashëgiminë e saj kulturore, dhe për këtë arsye jemi të gatshëm për dialog mbi këtë çështje. Për ne ka rëndësi të madhe stabiliteti në rajon, dhe respektojmë dëshirën tuaj për të qenë anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian. Ne duam të ndajmë rolin konstruktiv në ruajtjen e paqes në botë”, ka deklaruar Li Keqiang.