Ngjarjet rreth arrestimit të Sami Lushtakut

E publikuar: 23/09/2015 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku të martën ishte dërguar për vizitë mjekësore në QKUK.

Por, tentativat e tij për t’iu shmangur gardianëve të burgut bënë që të vihet në aksion policia e EULEX-it, raporton KTV.

Derisa Lushtaku arriti t’u shmanget gardianëve të burgut, ishte Policia e EULEX-it, së bashku me atë të Kosovës, të cilët e arrestuan pasi theu rregullat e burgut.

Menjëherë pas arrestimit, Lushtaku, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, u dërgua në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kjo Gjykatë mori vendim që ish-komandantin e UÇK-së Sami Lushtakun ta transferojë në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc të Podujevës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Drejtorisë së Burgjeve, e cila mori vendim për suspendimin e 3 gardianëve, të cilët e kishin përcjellë Lushtakun gjatë vizitës mjekësore në QKUK.

Ndërsa Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se Sami Lushtaku, me leje të gjykatës, të martën ishte dërguar për një kontroll ditor te kardiologu në QKUK, duke mos dhënë më shumë detaje.

I mbyllur për këtë çështje është edhe vet avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, i cili nuk ka pranuar të japë detaje lidhur me situatën e krijuar të martën në QKUK.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.