Nga 'Vizion Plus' në 'Klan', Turi tregon sa do paguhet në punën e re

E publikuar: 21/06/2018 04:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Pas shumë vitesh, ai vendos të ndryshojë ekran, i ndjekur pas nga trupa e “Apartamenti 2 Xl”, por jo nga bashkëshortja e tij.

Nëse është ndër moderatorët më të paguar, për vendimin që mori në karrierë, martesën me Orinda Hutën dhe divorcin nga muzika, përgjigjja që jep për punën me Sokol Ballën dhe largimin e komentuar të Blendi Fevziut nga “Klan”, ai flet në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.

Largohesh nga “Vizion Plus” pas shumë vitesh dhe shkon në “Klan”. Duke bërë pak lojë fjalësh për këtë lëvizje, me këtë ndryshim u dhe fund idealizmave për vizione largpamëse dhe po bëhesh pjesë e klaneve?

Unë po iki në “Klan”, po sigurisht me të njëjtin vizion dhe pasion që kam pasur gjithmonë.

Për aq kohë sa punove me Sokol Ballën në “Vizion Plus”, kuptove se ishit afër apo larg në mënyrën si e shihni të bërit televizion?

Nuk di të them, pasi nuk kam punuar asnjë ditë me Kolin.

Në pozicion drejtues dhe autor programesh, ç’mund të na zbulosh për projektin e ri? Do të jesh më afër argëtimit e duartrokitjeve apo rrahjes së mendimeve, pra, të një “talk show”?
Argëtim! Pjesa e “talk show” është e mbuluar në “Klan” më së miri.

U fol në fillim se do të merrje me vete gjithë stafin e “Apartamenti 2xl”. Tani është vendosur, pra i ke marrë?

Sigurisht! Ata janë staf i imi dhe vendosën të më ndjekin në këtë sipërmarrje të re.

Po bashkëshortja jote, Orinda Huta, do të shoqërojë në këtë sipërmarrje të re apo do e provoni të punoni një herë të ndarë?
Nuk është se kemi punuar ndonjëherë bashkë. Pothuaj s’takoheshim gjatë ditës në punë atje. Orinda për momentin ka bindjen që në “Vizion Plus” është shumë mirë, është zgjedhja e saj! Nuk e ndikoj dot.

Sa do të paguhesh në “Klan”? Është paga jote në nivelin e emrave që përfliten se shpërblehen mirë në televizion, si: Blendi Fevziu, Arian Çani, Ardit Gjebrea, Ermal Mamaqi, etj.?

Paguhem aq sa kam rënë dakord me Aleksandër Frangajn. Sa paguhen të tjerët, nuk kam interes ta di.

Në lëvizjet e fundit që kanë ndodhur në media, u komentua edhe Blendi Fevziu. Nëse ai do të linte “Klan” për “Top Channel”, mendon se do bënte lëvizjen e duhur apo të gabuarën?

Besoj që një histori suksesi dhe miqësie si ajo e Fevziut dhe “Klanit” nuk duhet të mbyllet dhe jam i bindur që nuk do mbyllet edhe në të ardhmen.

Mund të themi se je rritur në televizion. Kur ulesh në kolltukun e shtëpisë për të ndjekur ekranet shqiptare, çfarë shijon dhe në ç’raste thua me vete: “Kjo që po shoh është skandaloze”?

Më pëlqen emisioni i Alma Çupit, emisionet e Marin Memës, por ka edhe gjëra të tjera shumë të mira. Sa për programe të dobëta, sigurisht që ka shumë, por mos prit emra.

Me qëndrimet që mban në rrjetet sociale, nuk mungojnë statuset e tua për politikën. Vëllait tënd, Eljo Hyskos, ç’këshilla i ke dhënë në lidhje me Kryeministrin apo politikanët e tjerë për ta menaxhuar mirë postin e kryetar-it të FRESSH-it?

Nuk i jap këshilla në raportet me të tjerët, por në raport me veten, synimet e veta dhe punët që ka. Këshilla e vetme është ta bëjë me dashuri e pa kompromis atë që merr përsipër.

/Panorama Plus/