Nga sot për mungesë të pajisjeve dimërore nisin dënimet nga 40-300 euro

E publikuar: 16/11/2017 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia nga sot ka filluar aksionin për t’i kontrolluar shoferët se a janë përgatitur për fillimin e sezonit dimëror, kur ata janë të detyruar që në automjetet që i drejtojnë të kenë pajisjet e nevojshme dimërore.

Njësiti për kontrollimin e shoferëve nëpër autostrada dje nuk shqiptoi gjoba, por bëri të ditur se nga sot (e enjte, 16 nëntor) do të fillojë dënimet.

Dënimi për mungesë të këtyre pajisjeve është 40 euro – për individët, ndërsa shoferët në cilësi të personave juridikë ose institucionit publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të cilit ka vepruar personi i përcaktuar, dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 100 deri 300 euro.

Me ardhjen e stinës së dimrit, rrezikshmëria në komunikacion rritet, andaj policia apeloi te qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të përgatitur me pajisjet e nevojshme dimërore.

“Një pjesë jo e madhe nuk e dinë se sot ka filluar sezoni dimëror. Por, ne kemi marrë një aksion edhe sot, edhe ditëve paraprake, për informim të qytetarëve, dhe të vetëdijesimit të tyre se prej të 15-tit fillon sezoni dimëror, dhe mjetet e tyre duhet të jenë të pajisura me pajisje dimërore, në mënyrë që të parandalohen aksidentet”, ka thënë për transmetuesin publik Argjend Gashi, toger në njësitin për kontroll në autostrada.