Nga KMDLNJ thonë se u keqtrajtua njërit nga të arrestuarit mbrëmë në Prishtinë

E publikuar: 19/07/2018 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Monitorues të KMDLNj- së, në kuadër të mandatit për monitorimin e qendrave ku mbahen persona të privuar nga liria apo në mbajtje të dënimit, sot ka vizituar personat që u arrestuan mbrëmë në lagjen Kalabria.
Sipas KMDLNJ-së i ndaluari M. K 37 vjeç, ka deklaruar se është arrestuar në ora 18:00 në lagjen Kalabria dhe se nuk e ka kundërshtuar urdhrin e policisë duke dalë nga vetura me duar mbi kokë pas së cilës është shtrirë për toke dhe është prangosur.

Deklaron se afërsisht 1 orë, i prangosur është rrahur nga Policia e Kosovës – Njësia Speciale duke thënë se kanë qenë afërsisht 30 policë, transmeton Express.

Ai i ka thënë KMDLNJ-së me asgjë nuk e ka provokuar policinë për përdorim të forcës ndaj tij.

Gjithashtu ai ka thënë se sjelljet e policisë në stacionin policor kanë qenë korrekte e sidomos në Qendrën e Ndalimit ku nuk ka asnjë vërejtje.

Është njoftuar për të drejtat që i takojnë, ka avokat dhe është marrë në pyetje nga hetuesit policorë të prani të avokatit.

Është kontrolluar nga mjeku dhe në rastin e pranimit është edhe raporti mjekësor.

“Gjatë vizitës shihen shenjat e përdorimit të forcës në fytyrë, shpinë, duar dhe këmbë. Shenjat janë të dukshme dhe si pasojë e përdorimit të forcës”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ po ashtu raporton se edhe P. GJ. 32 vjeç, shtetas i Malit të Zi ishte arrestuar me 18.07.2018 në ora 18: 00 në lagjen Kalabria.

Ai i deklaroi KMDLNj – së se ndaj tij nuk ishte përdorur forcë , as gjatë arrestimit, as një stacionin policor e as në Qendër të Mbajtjes. Ka angazhuar avokat dhe është marrë në pyetje në prani të avokatit. Familja e tij është lajmëruar për arrestimin. E vetmja vërejtje e tij ishte kërkesa që t’i lejohet përdorimi i barërave e që i ishin konfiskuar gjatë arrestimit.

KMDLNj vlerëson se sjellja e policëve në stacionin policorë dhe në Qendrën për Mbajtje ndaj të privuarve nga liria është në përputhje të plotë me ligjin dhe të drejtat e njeriut ndërkaq kërkon të hetohet nëse ndaj M. K gjatë arrestimit është përdorur forcë në kundërshtim me ligjin aq më parë që i arrestuari ka shenja të dukshme në trupin e tij si pasojë e përdorimit të forcës.

Për KMDLNj – në është me rëndësi të sqarohet periudha nga arrestimi e deri në dërgim në stacionin policor ngase kjo periudhë thuaja në të gjitha vizitat monitoruese deklarohet si kohë kur policia e përdorë forcën të cilën nuk e përdorë pastaj as në stacionin policorë e as në Qendrën e Mbajtjes.

Për KMDLNj – në paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria sidoms kur përdoret forca ndaj të arrestuarve që janë të neutralizuar , me pranga në duar..

KMDLNj e ripërsëritë kërkesën që të përmirësohen kushtet për stafin në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë duke ua ndërruar lokacionin.