Nga dyshja Plori-Nikaj, te Asanovic, te Vllaznia vazhdojnë të kërkojnë trajner

E publikuar: 21/10/2015 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Cështja e trajnerit të Vllaznisë mbetet temë e ditës në kampin shkodran që pas dorëheqjes së Luan Zmijanit. Kuqeblutë vazhdojnë të stërviten nën urdhrat e Armir Grimës, i cili në dy ndeshjet e fundit në Superiore ka arritur të grumbullojë 4 pikë, falë barazimit me Kukësin dhe suksesit me Tërbunin në Pukë. Rezultatet pozitive i kanë shtyrë drejtuesit që t’i kërkojnë Grimës të vijojë punën me skuadrën, por vetë 41-vjecari e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të qëndrojë më gjatë në këtë pozicion.

Në këto kushte drejtuesit e Vllaznisë po studiojnë alternativa të tjera brenda familjes, duke qenë të bindur se njerëzit që kanë janë formuar, rritur dhe kanë punuar në strukturat e klubit mund ta nxjerrin skuadrën nga situta ku ndodhet. Mësohet se administratori Kalamishi ka bërë një sondazh me trajnerët e akademisë, të cilët i kanë sugjeruar dyshen Plori-Nikaj për detyrën e trajnerit. Të dy këta emra kanë punuar gjatë në akademinë kuqeblu dhe nuk kanë nevojë për kohë për t’u përshtatur. Megjithatë nuk pritet një vendim i shpejtë nga drejtuesit, të cilët po e shfrytëzojnë kohën duke studiuar cdo alternativë të mundshme.

Së fundmi raportohet se Vllaznisë i është ofruar një emër i rëndësishëm i futbollit kroat, pikërisht Aljosha Asanoviç, i cili ka qenë ndihmës i Slaven Bilic te përfaqësuesja e Kroacisë. Megjithatë gjithcka është në kuadrin e zërave, pasi mundësitë financiarë për të kontraktuar trajnerë të rëndësishëm, sikurse është 50-vjecari, janë të kufizuara.

Video Player