Nga 250 mijë armë ilegale, për vetëm 1.800 është kërkuar legalizim në MPB

E publikuar: 21/09/2019 08:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prej 250 mijë armëve ilegale që vlerësohet t’i posedojnë qytetarët e Kosovës, për vetëm 1.800 janë paraqitur kërkesa për legalizim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Kërkesat për legalizim janë bërë gjatë fushatës për legalizim të armëve, që ka zgjatur 9 muaj, nga 17 dhjetori i vitit të kaluar e deri më 17 shtator të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë kësaj kohe neni i Kodit penal që sanksionon me gjobë dhe burgim veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka qenë i suspenduar nga ministri i Brendshëm, tani në dorëheqje Ekrem Mustafa.

Me gjithë numrin e ulët të kërkesave për legalizim, krahasuar me armët ilegale që vlerësohet se qarkullojnë në Kosovë, sipas MPB-së, fushata është e suksesshme, duke thënë se qytetarët çdo ditë janë duke u vetëdijesuar dhe se vazhdimisht është duke u rritur besimi i tyre, siç kanë thënë në qëllimin e drejtë dhe transparent të legalizimit të armëve.

Hulumtimet të mëhershme të MPB-së kanë treguar për rreth 360 mijë armë ilegale. Mirëpo, ky numër sipas zyrës për medie e MPB-së ka rënë për rreth 100 mijë armë. “Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për medie të MPB-së.

Ata kanë numëruar edhe faktorët që, sipas tyre, kanë ndikuar në këtë ulje. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)