Neymar pezullohet për dy ndeshje

E publikuar: 18/06/2015 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Neymar pezullohet me dy ndeshje. Ylli i Brazilit, që u nxor jashtë loje me karton të kuq në ndeshjen ndaj Kolumbisë në Kupën e Amerikës, do të humbasë takimin e radhës me Venezuelën si dhe ndeshjen pasardhëse nëse Brazili kualifikohet në çerekfinale.

Organet disiplinore nuk përdorën dorën e ashpër me yllin e Barcelonës që mori ndëshkimin minimal të parashikuar nga rregullorja. Edhe pse ishte ndëshkuar me karton të verdhë në ndeshjen e debutimit me Perunë, Neymar u ndëshkua sërish me karton të verdhë për golin që shënoi me dorë në sfidën kundër Kolumbisë dhe pastaj në fund kur Selecao ishte në disavantazhin e një goli shpërtheu duke gjuajtur një top ndërsa loja ishte e ndaluar ndaj Armeros duke u bërë sërish protagonist i një përballjeje kokë më kokë me Murrillon si dhe u grind me Bacca duke marrë kështu kartonin e kuq.

Dy ndeshjet e pezullimit ishin të sigurta por ekzistonte rreziku që Neymar të dënohej më tepër, edhe pse me sa duket organet disiplinore nuk e kanë gjykuar shumë të dhunshme sjelljen e brazilianit. Neymarit Kolumbia nuk i sjell aspak fat, në Botëror pikërisht kundër Cafeteros sulmuesi pësoi një goditje në shpinë nga Zuniga dhe dëmtimi e detyroi të mungonte si në gjysmëfinalen dramatike me Gjermaninë ashtu edhe në finalen për vendin e tretë kundër Holandës. Këtë herë braziliani ka mundësinë për t’u rikthyer sërish në fushë me Selecaon, por kjo do të varet nga shokët e tij të skuadrës që më parë duhet të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale dhe më pas në gjysmëfinale, në mënyrë që Neymar të luajë sërish në Kupën e Amerikës./ss/