Netanyahu zgjedhet për të pestën herë kryeministër i Izraelit

E publikuar: 10/04/2019 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me shumicën e votave të numëruara nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 prillit në Izrael, rezultatet tregojnë se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe partia e tij Likud pas një rezultati të ngushtë do të mund të formojnë një koalicion të krahut të djathtë dhe të udhëheqin me Qeverinë në mandatin e pestë, raporton Al Jazeera, transmeton Klan Kosova.

Netanyahu dhe partia e tij Likud kishin për rival partinë e “Bardhë e Blu” të kryesuar nga Benny Gantz.

Benny Gantz, një ish-gjeneral 59-vjeçar, gjithashtu kishte shpallur fitoren më herët, duke u thirrur në sondazhet të publikuara menjëherë pas përfundimit të votimit të martën, që treguan se partia e tij kishte fituar më shumë vende se partia Likud.

“Ne jemi fitimtarë. Ne duam të falënderojmë Benjamin Netanyahun për shërbimin e tij ndaj kombit”, tha Gantz.

Por, faqja e internetit e Parlamentit të Izraelit, Knesset, ka postuar një raport zyrtar me 96 për qind të votave të numëruara më 10 prill, që tregon se Likud dhe partitë e tjera të krahut të djathtë kanë fituar 65-67 vende në Parlamentin me 120 ulëse.

Gjatë një fjalimi që ndërpritej nga brohoritjet e përkrahësve të tij, Netanyahu u zotua se do të krijojë një qeveri të krahut të djathtë.

“Do të jetë një qeveri e krahut të djathtë, por unë do të jem kryeministër për të gjithë. Unë jam shumë i prekur që populli i Izraelit më dha votën e besimit për herë të pestë dhe një votë edhe më të madhe të besimit se zgjedhjet e mëparshme”, tha Netanyahu.