Netanyahu sfidues pas rekomandimeve për ngritje akuzash për korrupsion

E publikuar: 16/02/2018 07:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se qeveria e tij e koalicionit është “e qëndrueshme,” duke mos përfillur rekomandimin e policisë që ai të akuzohet për korrupsion për dy raste të veçanta. Kryeministri tha se do të vazhdojë të punojë në interes të popullit izraelit deri në fund të mandatit. Rekomandimi për ngritjen e akuzave penale pasoi një hetim disa mujor lidhur me dyshimet se zoti Netanyahu kishte pranuar dhurata të shtrenjta nga disa miliarderë, mes të cilëve producenti i Hollivudit Arnon Milchan dhe manjati i shtypit James Packer.

Përveç akuzave për korrupsion, thuhet se Benjamin Netanyahu i kishte premtuar favore botuesit të një gazete në shkëmbim të mbulimit pozitiv të punës së kryeministrit. Vetë zoti Netanyahu thotë se akuzat janë të pabaza.

“Gjatë këtyre viteve si kryeministër, presione të mëdha janë vënë në lëvizje për të hapur kundër meje 15 procese hetimore me synimin për të më larguar nga pushteti. Disa kanë përfunduar me rekomandime të bujshme nga policia, njëlloj si rekomandimet e sotme”.

Ligjvënësit izraelitë kanë reagime të përziera për problemet aktuale të zotit Netanyahu:

“Gjatë viteve ai ka krijuar reputacionin e një njeriu dhe udhëheqësi të ndershëm dhe të besueshëm. Besoj se i tillë është edhe në këtë rast. Mendoj se ky problem do të fashitet,” thotë deputetja e Partisë Likud, Sharren Haskel.

“Opozita beson se Netanyahu duhet të largohet nga posti për dy arsye: jo thjesht sepse dyshohet për këto veprime, por sepse sulmoi të gjithë sistemin demokratik në Izrael, në përpjekje për të mbyllur këto akuza. Prandaj besojmë se duhet të largohet edhe para se të mbyllet kjo çështje ligjërisht,” thotë deputetja e Ksenetit Merav Michaeli.

Prokurori i Përgjithshëm do të vendosë nëse Kryeministri Netanyahu do të përballet me akuza ose nëse do t’i shpëtojë edhe një skandali tjetër.