Nesër Raporti i Progresit për vendet e Ballkanit dhe Kosovën, nuk shkruan asgjë për vizat

E publikuar: 16/04/2018 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deutsche Welle ka publikuar një shkrim duke u bazuar në burime në Bruksel. Aty thuhet se Shqipëria e Maqedonia pritet të marrin rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, ndërkohë që Kosovën dhe Bosnjën i presin kritika për ngadalësimin e reformave. Po ashtu, bëhet e ditur se në raport nuk do të përmendet e as nuk do të jepen indikacione rreth liberalizimit të vizave
Procesi i liberalizimit të vizave nuk do të jetë pjesë e raportit për Kosovën. Pas një kohe të gjatë, Prishtina plotësoi njërën nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe aprovoi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi, shkruan DW.

“Në Bruksel dëgjon të thonë se në mënyrë që të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, së cilës ende i duhen viza për të hyrë në Shengen, Komisioni Evropian mund të paraqesë disa aspekte pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i cili është kushti i fundit që ka mbetur. Në anën tjetër, për shkak të imigrimit të madh nga Kosova, shtetet anëtare janë më shumë se të kujdesshme kur vjen puna për ta përfshirë Kosovën në listën e bardhë të Shengenit”, shkruan DW.

Sipas Eduard Kukanit, Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit. Sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herëhershme dhe tensione në të dyja palët. Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë. Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin. Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Besoj se ky raport nuk do t’i sjellë shumë inkurajim Kosovës, sepse mund të kishin bërë shumë më tepër. Sa kohë iu desh Parlamentit të Kosovës që të aprovojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi? Kjo është një provë se gjërat në Kosovë nuk ecin si duhet të ecnin. Unë pres një sërë rekomandimesh të ashpra në raport për atë si duhet ecur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen në rrugën evropiane”, tha Kukan./Express/